Ujdia e re për Brexit, Johnson bëhet gati për betejën në parlament

Arriti marrëveshjen e Brexit me BE-në, por Johnson e ka të vështirë në Britani
Pas mbështetjes së siguruar nga Bashkimi Europian për siglimin e një ujdie të re për Brexit, kryeministri Boris Johnson bëhet gati për betejën më të fortë, atë të bindjes së ligjvënësve britanike, në mënyrë që t’i japin dritën jeshile marrëveshjes.
Votimi pritet të zhvillohet ditën e shtunë dhe shefi i ekzekutivit të Londrës beson në një rezultat pozitiv.
“Kam shumë besim se kur kolegët e mi në Parlament të studiojnë marrëveshjen do ta votojnë atë”, deklaroi kryeministri britanik, por kundërshtimi ndaj planit i partnerit të Johnson, partisë unioniste demokratike të Irlandës së Veriut, nënkupton se kryeministri nuk do ta ketë dhe aq të lehtë.
10 votat pro të partisë mund të jenë vendimtare, pasi Johnson nuk e ka shumicën e nevojshme në dhomën e Komunëve.
“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë, por sa i përket marrëveshjes qe kryeministri sjell nga Brukseli, ne nuk mendojmë se është në interesin e Irlandës së Veriut”, deklaroi Arlene Foster, liderë e Partisë Unioniste Demokratike
Plani i ri zëvendëson mekanizmin frenues për Irlandën e veriut, i cili sipas kritikëve e mbante të lidhur Londrën me Brukselin, me disa kontrolle kufitare.
Mallrat që kalojën nga Britania e Madhe në Irlandën e Veriut, nëse janë të destinuara të qëndrojnë atje nuk do të tarifohen nga BE, por nuk do të jetë kështu për produktet me destinacion tregun republikën e Irlandës, dhe rrjedhimisht atë të Bashkimit Europian.
Nëse ligjvënësit refuzojnë planin e Johnson, ai do të jetë i detyruar të kërkojë shtyrje të Brexit, mbi bazën e një ligji të aprovuar në dhomën e Komunëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2