Universiteti Bujqësor del në protestë: Po ndërtohet te fidanishtja jonë

Universiteti Bujqësor ka dalë në protestë sot, jo për politikat e Arsimit të Lartë, por për një rrezik më konkret dhe për momentin të panjohur.
Pedagogë dhe studentë kanë dalë në rrugë për fillimet e një ndërtimi në territorin e tyre, që ata quajnë “të paligjshme”.
Sipas Jamarbër Malltezit, pedagog në UBT, “që nga dita e djeshme kemi parë një rrethim të çuditshëm tek fidanishtja e UBT-së, dhe na kanë thënë se është dhënë një leje ndërtimi”.
Sipas Malltezit, ka disa shkelje ligjore në këtë veprim sepse “fillimisht ajo është tokë ende në pronësi të universitetit bujqësor, dhe UBT ka një masterplan, dhe ajo toke është e projektuar për fidanishte”.
Por shkelja më e madhe sipas tij është që “nuk ka asnjë tabelë që informon për godinën që do të ndërtohet, se kush po e ndërton etj., nuk është respektuar asnjë procedurë”, edhe pse sipas burimeve do të ndërtohet një shkollë.