Ushqimi i shëndetshëm në izolim, trendi i ri europian

Dy muajt e fundit i kanë sjellë njerëzimit një gjendje frike të panjohur në kohën moderne, ka bllokuar ekonomitë e gjithë botës me pasoja ende të panjohura, dhe na ka paraqitur një faturë tejet të kripur, ku numri i të prekurve nga COVID-19 po i afrohet 4 milionë e gjysmë personave, ndërkohë që është arritur shifra e 300 mijë viktimave. Por kjo kohë e pazakontë dhe e trishtë karantine na ka dhuruar edhe diçka që ndoshta bëjmë mirë mos ta harrojmë, edhe kur fjala koronavirus të jetë kujtimi i hidhur i një pranvere të largët. Flasim për rëndësinë e shëndetit personal, i cili pa ritmet stresuese me të cilët jemi mësuar, është rikthyer në plan të parë në diskutimet sociale dhe mediatike, dhe ç’është më e rëndësishme, deri diku edhe në vëmendjen individuale.