Vaksina kundër COVID-19, shkencëtarët në Australi përshpejtojnë testimet

Agjencia Kombëtare e Shkencave në Australi po merr pjesë në garën globale për të ndaluar përhapjen e COVID-19, duke testuar dy vaksina potenciale tek kafshët.
Synimi është që të gjendet sa më parë një mënyrë e sigurt për të mbrojtur njerëzit nga virusi vdekjeprurës.
Organizata Kërkimore Industriale dhe Shkencore e Commonwealth po përdor kafshët për të testuar dy vaksina potenciale, njëra e Britanisë së Madhe dhe tjetra e Shteteve të Bashkuara.
“Qelizat në mushkëritë e qelbësit kanë proteina në sipërfaqet e tyre, të cilat janë shumë të ngjashme me ato të njeriut, dhe duket se viruset që infektojnë mushkëritë e njeriut, prekin edhe ato të qelbësve”, thotë Trevor Drew, drejtor i laboratorit për shëndetin e kafshëve në Australi.
Shkencëtarët theksojnë se njëri test është bërë me sprej hundor, ndërsa tjetri me injektim të drejtpërdrejtë. Ekziston një urgjencë madhore në gjetjen e një vaksine kundër COVID-19, që po përhapet me shpejtësi në botë dhe po shkakton një bilanc tepër të lartë viktimash.
Madje disa medikamente po testohen në mënyrë të kontrolluar tek njerëzit. Sapo shkencëtarët të gjejnë një vaksinë të sigurt dhe efektive, sfida tjetër është se si të prodhohen mjaftueshëm për të mbrojtur banorët e planetit tonë.
Studiuesit besojnë se nga të gjitha projektet që po zbatohen aktualisht në të gjithë botën, njëri prej tyre do të arrijë të gjejë një zgjidhje efikase deri në fillim të vitit të ardhshëm.