Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Vendimet e arbitrazhit, miliona euro për t'u paguar, presion mbi buxhetin gjatë 2021

Nga A2 CNN
27 Korrik 2021, 15:35 | Ekonomi

Vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar, që janë shtuar së shumti vitet e fundit, janë shndërruar në një barrë të madhe për buxhetin e shtetit, që ka nisur rimëkëmbjen pas vitit pandemik. E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për detyrimet që duhen paguar pas vendimeve të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare, por edhe për pagesat e avokatëve dhe studiove ligjore, që janë kosto të drejtpërdrejta për financat publike.

Pak kohë më parë, Gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit ka dhënë fjalën e fundit në çështjen Becchetti, duke zyrtarizuar detyrimin prej 110 milionë eurosh ndaj sipërmarrësit italian.

Megjithatë, fatura reale e çështjeve të arbitrazhit shkon përtej kësaj shifre. 44 milionë euro shtesë janë detyrime të çështjes Aktor dhe Copri për rrugën e Elbasanit, 100 milionë euro pretendohen nga kompania Kurum për prishjen e kontratës koncesionare për terminalin e kontejnerëve dhe 9,5 milionë euro të tjera janë detyrime të njohura nga Ministria e Financave.

Por edhe fatura prej 263,5 milionë eurosh që shihet si total i këtyre çështjeve mund të mos jetë përfundimtarja, nëse i shtojmë padinë e fundit të Arka Energy për parkun fotovoltaik të Akërnisë dhe çështje të tjera që nuk bëhen publike për shkak të sekretit tregtar.

Arbitrazhet ndaj Shqipërisë vitet e fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Në total, dëmshpërblimi potencial për të gjitha llogaritet rreth 450 milionë euro. Gjatë këtij viti, Avokatura e Shtetit ka hapur katër procedura ku ka kërkuar kontraktimin e studiove vendase apo të huaj për të asistuar Shqipërinë në përballjet që kjo e fundit ka nëpër arbitrazhe ndërkombëtare.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli