Vendimi i Holandës, Soreca: Asgjë nuk ka ndryshuar, vazhdon lëvizja e lirë

Një ditë pasi parlamenti holandez votoi rikthimin e vizave me Shqipërinë dhe kalimin e kësaj kërkese KE-së, vjen dhe reagimi i ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca.

Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë shprehet se deri tani asgjë nuk ka ndryshuar për shqiptarët.

“Tani për tani, Komisioni Europian do të bëjë vlerësimin e tij, kjo në rast se apo kur qeveria holandeze të sjellë raportin e saj. Në fakt, është shumë e rëndësishme për të përmendur një gjë tjetër, që është vetë qeveria holandeze, në debatin që patën në parlament nuk është shprehur se ka një lidhje të qartë mes lëvizjes pa viza dhe krimit të organizuar. Prandaj do të nevojiten të dhëna dhe statistika në mënyrë që të mund të arrihet kjo lidhje që nuk është vërtetuar ende. Asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo ka qenë e qartë edhe me anë të njoftimeve që ka bërë publike ambasada holandeze në Facebook”. Lëvizja vijon të jetë e njëjtë”, u shpreh ambasadori i BE në Tiranë, Soreca.