Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Veriu i Kosovës çlirohet nga barrikadat. Për BE fitoi diplomacia, Kurti: U lodhën ata që bllokuan veten

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2022, 19:12 | Kosova
Veriu i Kosovës çlirohet nga barrikadat. Për BE fitoi

Veriu i Kosovës është çliruar nga barrikadat që bllokuan rrugët për 20 ditë. Ky është momenti kur largohet dhe kamioni i fundit nga fshati Rudarë, në Zveçan. Dy persona të maskuar rikthyen bateritë e hequra dhe lëvizën mjetet e tonazhit të rëndë.

Edhe nga ana tjetër, në territorin e Serbisë, barrikadat janë hequr dhe tashmë mundësohet qarkullimi i lirë për në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Më herët, ekipi i A2 CNN dëshmoi një skenë të ngjashme edhe në lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Veriut, që banohet kryesisht nga shqiptarë.

Pengesa e parë që u hoq nga rrugët e Kosovës ishte ajo në Merdarë, duke bërë që kjo pikë kufitare t’i rikthehej normalitetit. Vendimi për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës erdhi pas ndërmjetësimit nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që këshilloi heqjen e barrikadave, tha se ka marrë garanci të forta ndërkombëtare për kërkesat e serbëve të Kosovës, përfshirë mosarrestimin e atyre që i vendosën.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për zhbllokimin e rrugëve duke thënë se serbët në veri i vendosën vetë barrikadat dhe vetë po i heqin. “Janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”, u shpreh ai.

Një reagim ka ardhur dhe nga Bashkimi Europian, me shefin për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, që thotë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve mes palëve. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirësevini në lidershipin e përgjegjshëm të Presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Zhbllokimi i rrugëve u përshëndet edhe nga KFOR. Barrikadat nisën të vendoseshin në veri të Kosovës më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, që akuzohet për terrorizëm për shkak të një sulmi me armë ndaj zyrtarëve të KQZ në Mitrovicë.

Aktualisht, ai dhe disa serbë të tjerë janë liruar me kusht. 

https://a2news.com/2022/12/29/heqja-e-barrikadave-ne-veri-te-kosoves-reagon-kfor-i/
https://a2news.com/2022/12/29/hakerat-anonymous-kercenojne-vucic-ki-kujdes-kosova-nuk-eshte-pa-mbeshtetje/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani