Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Viti 2020, i padëshiruari...

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 14:05 | Aktualitet
Viti 2020, i padëshiruari...

E kush do ta kish menduar se viti 2020 do të ishte i padëshiruar, viti që gjithkush donte ta fshinte nga jeta e tij.

Shkak u bë një virus, i panjohur, i rrezikshëm, pa një mjekim specifik, u quajt Sars-COV-2. Ndërsa sëmundja që shkaktohej prej tij u emërtua Covid-19. Çdo germe e kishte një shpjegim shkencor, ndërsa 19 ishte viti kur virusi shënoi infektimet e para në Kinën që dukej shumë e largët.

CO – Corona (Korona)

VI – Virus

D – Disease (Sëmundja)

19 – Viti kur u përhap

Por virusi nuk njohu kufij, racë, moshë dhe as shtresë në shoqëri. Edhe në Shqipëri nisën rastet e para. Të infektuarit shtonin radhët. Pozitiviteti mori një tjetër kuptim. Askush nuk e dëshironte një përgjigje të tillë pas testimit, por as i shmangej dot nëse virusi të kishte shënjuar. Më pas të dënonte me izolim, në vetmi dhe mund të të vriste edhe pabesisht. Mushkëritë janë vendi më i preferuar i Sars-Cov-2, por nuk kursen as organet e tjera.

Në fare pak kohë, zakonet e përditshme u bënë e shkuara. Kënaqësitë e dikurshme, festat, kafet me  miqtë, përqafimet, puthjet me prindërit, me gjyshërit, ishin kërcënimi më i madh për jetën e gjithsecilit. Për ata që u prekën nuk ka qenë aspak e lehtë. Asnjë rast dhe përjetim nuk i ngjan tjetrit, si për të treguar misterin e këtij virusi.

Çdo strategji ushtrish ra, nuk kishin asnjë vlerë në këtë pandemi. Beteja me koronavirusin po bëhej në fronte të tjera. Në spitale, ku trajtohen rastet e rënda, dhe në banesa, ku çdo i prekur duhet të kalojë testin e virusit. Mes mijëra të infektuarve, virusi herë humb dhe herë fiton. Të shëruarit janë të shumtë, por jo pak viktimat dhe dramat familjare në këtë pandemi.

Ndoshta, emri i ka paracaktuar fatin, por Fatmir Toçi nuk mund të harrojë dy muajt e tmerrit në sanatorium, dhimbjet, humbjet e vetëdijes, përpjekjet e mjekëve e as tronditjen kur vdekja i hynte çdo ditë në dhomë dhe nuk dilte duarbosh.

Normaliteti i ri vuri kufij, barriera, distanca, duke mbajtur larg edhe ata që duheshin më shumë. Por as këto masa nuk e ndaluan dot përhapjen e koronavirusit. Covid-19 fitonte terren. Syri i njeriut nuk mund ta shihte, por shqisa të tjera jepnin sinjale se ishe një tjetër i prekur prej tij.  Pas mundimeve nga koronavirusi, Nora Malaj tregon se nuk është më si më parë. Edhe ajo, këtë vit humbi miq të ngushtë dhe të afërm.

Prej javësh, jeton në një boshllëk të madh dhe të zhytur në kujtime. Botuesja Rita Petro humbi bashkëshortin nga koronavirusi. Ende nuk e beson ikjen e tij aq sa shpeshherë i duket sikur do të kthehet për të mbyllur projektet që kishin së bashku. Si çdo ikje, lë pas pengje, misione për të gjallët, plagë që vetëm koha mund t’i shërojë.

2020 ishte viti i pandemisë, viti ku njerëzimi provoi fitoren dhe humbjen. E bardha u bë ngjyra e shpresës dhe zëri i jetës. Ishte viti i ankthit dhe stresit, aleatët më të mirë të koronavirusit për të mposhtur njeriun. Por mjekët janë optimistë për të ardhmen, veçanërisht pas daljes se vaksinës. E kush do të kish menduar se në një rrotullim të Tokës rreth Diellit, jeta do të na ndryshonte krejtësisht. Rrugëtimi ri i planetit sapo ka nisur dhe në banorëve të tij na presin sfida dhe të panjohura të tjera.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli