Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Viti i jashtëzakonshëm i Vatikanit

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 11:50 | Bota
Viti i jashtëzakonshëm i Vatikanit

Papa Françesku, i cili goditi dorën e një gruaje që e tërhoqi me forcë atë, në ditën e fundit të 2019-s, pati një reagim tjetër në ditët e para të janarit kur një murgeshë e pyeti atin e shenjtë nëse do ta puthte. Papa iu përgjigj pozitivisht, por i kërkoi me shaka që të mos e kafshonte. Kjo shkaktoi të qeshura nga të pranishmit.

Në shkurt, papa Françesku, në një paraqitje të paplanifikuar në një konferencë në qytetin e Vatikanit, ku morën pjesë drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, dhe ministri argjentinas i Ekonomisë, Martin Guzman, paralajmëroi se zgjidhjet e pandjeshme në trajtimin e krizës së borxhit mund të dëmtonin shoqëritë. “Mos harroni të luteni për mua sepse detyra me të cilën po merrem nuk është aspak e lehtë”.

Në fund të shkurtit, Papa u lut për personat e prekur nga koronavirusi, teksa Italia mundohej të vendoste infeksionin nën kontroll. “Edhe një herë, unë do të doja të shprehja afërsinë time me njerëzit e infektuar nga koronavirusi, me profesionistët shëndetësorë që po i ndihmojnë ata, si dhe me autoritetet civile dhe të gjithë ata që po punojnë për të ndihmuar pacientët dhe për të ndaluar përhapjen e virusit.”

Duke thënë se ndihej i “burgosur”, Ati i Shenjtë dha për herë të parë bekimet e tij, përmes internetit, brenda Vatikanit, në vend të dritares së zakonshme. Kjo u bë për të ndaluar grumbullimin e turmave gjatë shpërthimit të madh të koronavirusit në Itali. Megjithatë, Papa Françesku doli në dritare për të përshëndetur i heshtur disa qindra besimtarë të mbledhur në sheshin e madh, i cili zakonisht mbledh dhjetëra mijëra persona. Shumica mbanin një distancë të sigurt, ndërsa ndiqnin adresimin nga 4 ekrane të mëdhaja.

“Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes! Është pak e çuditshme që lutjet e sotme vijnë me Papën e mbyllur në një librari. Por, unë ju shoh dhe jam afër jush.”

Më 12 mars: Vatikani mbylli sheshin Shën Pjetër dhe Bazilikën për turistët, si pjesë e masave për të frenuar koronavirusin. Dy ditë më pas, Papa Françesku u zhvendos në një Romë të shkretuar për t’u lutur në faltore për fundin e pandemisë. Ati i Shenjtë la Vatikanin për të vizituar, fillimisht, Bazilikën e Santa Maria Maggiore, dhe më pas eci në një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit italian, për të shkuar në kishën e Shën Marçelos, ku u lut përpara një kryqi të përdorur në një procesion, kur murtaja goditi Romën, në vitin 1522.

Më 27 mars: Papa Françesku tha se koronavirusi i kishte futur të gjithë "në të njëjtën varkë", ndërsa ai mbajti një shërbim lutjeje dramatike, i vetmuar në sheshin e Shën Pjetrit, duke i kërkuar botës që ta shihte krizën si një provë solidariteti dhe një kujtesë të vlerave themelore. "Errësira e dendur është mbledhur mbi sheshet, rrugët dhe qytetet tona", tha ai, duke folur nga shkallët e Bazilikës së Shën Pjetrit në një shesh të zbrazët dhe me shi, përpara se të jepte një bekim të jashtëzakonshëm "Urbi et Orbi", mesazhi për qytetin dhe botën, që ai normalisht e bën vetëm dy herë në vit. "Ajo ka marrë jetën tonë, duke mbushur gjithçka me një heshtje shurdhuese dhe një boshllëk shqetësues, që ndalon gjithçka ndërsa kalon; ne e ndjejmë atë në ajër ... Ne e gjejmë veten të frikësuar dhe të humbur", tha ai. Vatikani e quajti shërbimin "Një Lutje e Jashtëzakonshme në Kohën e Pandemisë".

Në fillim të prillit, Papa Françesku u përul në dyshemenë e një bazilike bosh të Shën Pjetrit në lutjet e shërbimit "Pasioni i Zotit", që përkujton orët e fundit të jetës së Jezusit dhe kryqëzimin e tij, dhe kulmoi me "udhën e kryqit", shërbim që u mbajt në një shesh bosh të Shën Pjetrit.

Edhe për Pashkë, sheshi ishte sërish i shkretuar, ku Papa Françeku dha mesazhin për qytetin dhe botën, apo “Urbi et Orbi”, siç njihet ndryshe. “Në fakt, është e rëndësishme të bashkohen aftësitë shkencore, në një mënyrë transparente dhe të paanshme për të gjetur vaksinat dhe trajtimet dhe për të garantuar qasje universale në teknologjitë thelbësore që lejojnë çdo person të infektuar, në çdo pjesë të botës, të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

Dy javë më vonë, Papa Françesku mbajti një meshë private në Bazilikën e Shën Pjetrit në një kishëz anësore ku është varrosur Shën Papa Gjon Pali II, për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së tij. Mesha ishte e fundit e një cikli të mbajtur privatisht nga Ati i Shenjtë, në mëngjes herët, për më shumë se dy muaj, të cilat u transmetuan drejtpërdrejt, pasi asnjë besimtar nuk mund të merrte pjesë, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Më 3 qershor: Papa Françesku theu heshtjen e tij ndaj trazirave në Shtetet e Bashkuara, duke i kushtuar të gjithë seksionin në gjuhën angleze audiencës së tij javore për situatën në SHBA, dhe duke iu lutur Zotit për pajtimin kombëtar dhe paqen. Ai e quajti tragjike vdekjen e George Floyd dhe tha se po lutej për të dhe të gjithë ata që ishin vrarë si rezultat i "mëkatit të racizmit".

Më 2 shtator: Ati i Shenjtë mbajti audiencën e tij të parë të përgjithshme javore me prezencë besimtarësh në gjashtë muaj, ndërsa Selia e Shenjtë ngadalë hoqi kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ai i bekoi fëmijët nga larg, ndërsa kalonte gjatë rrugës për të lexuar adresimin e tij. Puthi një flamur libanez që i ishte dorëzuar nga një vizitor dhe ndaloi për të bërë një lutje të heshtur për vendin, i cili po dridhej nga shpërthimi vdekjeprurës i portit dhe rritja e tensioneve sektare.

Një javë më vonë, Papa Françesku i rikujtoi besimtarëve që të ruanin distancën fizike, pasi vizitorët në Vatikan u mblodhën së bashku duke tentuar që t’i afroheshin. Audienca e përgjithshme ishte e dyta që mbahej me publik.

“Ndahuni, mos rrini të bashkuar. Të gjithë në karriget e tyre për të shmangur transmetimin!”

Më 3 tetor: Papa Françesku udhëtoi jashtë Romës për herë të parë, që kur shpërtheu pandemia e koronavirusit për të nënshkruar enciklikën (letrën papale) e tij të fundit, të titulluar "Fratelli Tutti" (Vëllezër të Gjithë), në kriptën ku është varrosur Shën Françesku i Asizit.

7 tetor 2020: Mbi 1000 njerëz u mblodhën në sallën Paul VI në Vatikan, ku për herë të parë, një audiencë e përgjithshme e mbajtur nga Papa Françesku ka qenë në ambiente të mbyllura që nga nisja e pandemisë së koronavirusit.

Shumica e të pranishmëve mbanin maska për fytyrën, por Papa dhe shoqëruesit e tij të sigurisë nuk mbajtën maska gjatë daljes në publik. Ati i Shenjtë përdori dezinfektant, ndërsa zinte vendin e tij, por gjithashtu u pa të puthte duart e priftërinjve të sapoformuar dhe të shkëmbente kapele me njerëzit në audience.

12 tetor 2020: Papa Françesku u takua me kardinalin Australian George Pell, ish-ministri i Ekonomisë i Vatikanit, i cili është kthyer në Romë pas pushimit nga puna të një kardinali italian, të cilin Pell e kishte akuzuar për pengimin e reformës financiare. Pell u pastrua, në fillim të këtij viti, nga akuzat për abuzim seksual në Australi, pasi kaloi 13 muaj në burg dhe mbetet e paqartë nëse ai do të marrë një rol tjetër në Vatikan.

Më 14 tetor: Ati i Shenjtë mbajti një distancë të sigurt nga dashamirësit në audiencën e përgjithshme javore, duke thënë se rregullat e reja për frenimin e koronavirusit duhen respektuar.

“Më vjen keq ,nëse sot ju përshëndes nga larg, por besoj se nëse të gjithë, si qytetarë të mirë, ndjekin rregulloret e autoriteteve, kjo do të ndihmojë në trajtimin e pandemisë. Faleminderit!”

20 tetor 2020: Papa Françesku ndoqi një shërbim lutje ndërfetare për paqen në të gjithë botën në Romë me udhëheqës të tjerë fetarë të veshur me maskë fytyre për herë të parë në një funksion publik.

Katër ditë më pas takoi kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, për herë të parë që prej marrjes së detyrës. Gjatë takimit në Romë, ata diskutuan marrëdhëniet bilaterale mes Spanjës dhe Vatikanit.

10 nëntor 2020: Një raport turpërues për ish-kardinalin e Shteteve të Bashkuara, Theodore McCarrick, tregoi dështimet e papëve, zyrtarëve të Vatikanit dhe klerikëve të lartë amerikanë që e lejuan atë të ngrihej në rangjet katolike, me gjithë akuzat e përsëritura për abuzime seksuale.

28 nëntor 2020: Wilton Gregory, kryepeshkopi 72-vjeçar i Uashingtonit, u bë kardinali i parë afro-amerikan. Papa Françesku dhe disa nga kardinalët e sapoinstaluar bënë një vizitë te ish-Papa Benedikti, i cili ka jetuar në një shtëpi në kopshtet e Vatikanit që kur dha dorëheqjen në 2013-n.

25 dhjetor 2020: Papa Françesku udhëhoqi një meshë të thjeshtë për Krishtlindje në zonën e pasme të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku morën pjesë vetëm pak njerëz. Shërbesa u zhvillua më herët se zakonisht për të respektuar kufizimet anti-covid. Të gjithë me maska, përveç Atit të Shenjtë, i cili u kërkoi qytetarëve që të mos e kursejnë ndihmën ndaj njerëzve në nevojë. Pandemia ndikoi edhe në mesazhin tradicional, ''Urbi et Orbi'', për Qytetin dhe Botën, për festën e Krishtlindjeve. Nuk u mbajt si çdo vit nga ballkoni i bazilikës së Shën Pjetrit, por nga një holl brenda Vatikanit. “Sot, në këtë kohë errësire e pasigurish, për shkak të pandemisë, na shfaqen disa drita shprese, si zbulimi i vaksinave. Por, që këto drita të mund të ndriçojnë e t’i japin shpresë gjithë botës, duhet të jenë në dispozicion të të gjithëve”.

E në fund, lutja kryesore e Papa Françeskut ishte për një vit sa më të shëndetshëm dhe sigurisht paqe për të gjithë, veçanërisht në vendet e përfshira nga konfliktet.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli