Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar potencialin e sportit për të hapur dyer të cilat politika nuk ia ka dalë dot deri më tani.
E ndodhur në Japoni për një vizitë zyrtare, Osmani ndoqi edhe sukseset e dy xhudistëve të Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat i dhuruan shtetit të tyre 2 medalje ari në Olimpiadë, por ngushëlloi edhe Majlinda Kelmendin, e cila u mund që në ndeshjen e parë.
“Dua të falënderoj nga thellësia e zemrës për këtë kontribut që po japin për shtetin e tyre, me në krye trajnerin Toni Kuka, të cilët kanë bërë punë të jashtëzakonshme që flamuri i vendit tonë të lartësohet. Pra kontributi që këta sportistë japin shkon përtej sportit”, tha Osmani në një prononcim ekskluziv për A2 CNN.
“Sporti ka arritur të ngrejë flamurin e Kosovës edhe në vende ku politika nuk ia ka arritur, madje deri në Rusi e shtete të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë tonë dhe e luftojnë përmes mjeteve politike e diplomatike. Por edhe në ato vende, ushtria e tyre e ka nderuar flamurin e Kosovës, pikërisht përmes sportit. Prandaj ne po mundohemi që ta shfrytëzojmë diplomacinë sportive, në mënyrë që për Kosovën të dëgjohet mirë, për sukseset e saj, për rininë e saj me një potencial të jashtëzakonshëm. Dhe kjo po bëhet përmes sportistëve tanë të jashtëzakonshëm”, shtoi Osmani.