Vokshi: 13 Tetori, e vetmja datë e ligjshme për zgjedhjet

“Qëndrimi i PD-së është i qartë, 13 tetori është e vetmja datë e ligjshme e zgjedhjeve vendore, në qoftë se krijohen kushtet. Por personi që ka shndërruar qeverinë në një organizatë kriminale nuk mund të ofrojë diçka të tillë. Edi Rama nuk mund të bëj zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Ky është mendimi i Albana Vokshit, e ftuar në A2 për të shpjeguar aksionin politik të opozitës në sezonin e ri politik.
“Kalendari i aksionit opozitar do të zbulohet pas mbledhjes së organeve drejtuese të PD-së. Protestat do të jenë akoma më të mëdha, do të vazhdojë denoncimi i organizatës kriminale të quajtur Edi Rama, si dhe konsultimi i platformës së PD-së”, ku platforma për ekonominë do të ketë një fokus të veçantë dhe më përfaqësuese.
Sipas Vokshit, shqiptarët tashmë e kanë braktisur Qeverinë. “ Nuk besoj se ka shqiptarë që nuk janë të vetëdijshëm për keqqeverisjen e Edi Ramës. Qindra mijëra qytetarë i janë bashkuar opozitës, dhe zgjedhje e 30 qershorit ishin prova më e madhe që tashmë 85% të shqiptarëve e refuzon”.
Vokshi cilëson si “ farsë të turpshme” edhe vendimin e kryeministrit për të shkarkuar 33 drejtorët rajonalë në Shkodër, me vullnetin për t’ i zëvendësuar me gra.
“Nëse heqin 33 drejtorët dhe i zëvendësojnë me 33 “Elisa”, çfarë ndryshon? Më thoni një ministër grua që është zgjedhur nga eksperienca e saj profesionale? Elisa Spiropali falimentoi Doganat, vodhi sa mundi bashkë me familjarët, ato janë thjesht propagandë numrash për Ramën”, akuzoi ish deputetja e PD-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2