Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Volej femra, Skënderbeu “shkatërron” Tiranën

Nga A2 CNN
1 Tetor 2022, 13:20 | Sporte të tjera
Volej femra, Skënderbeu “shkatërron” Tiranën

Kampionet konfirmojnë se nuk kanë ndërmend të shkurorëzohen. Pasi fituan titullin që në volejboll për femra mungonte prej 36 vjetësh, te Skënderbeu synojnë të përsërisin suksesin.

Ambicia u konfirmua prej startit të edicionit, në duelin me Tiranën që një sezon më parë luajti në finale. Ndeshja u dominua totalisht nga volejbollistet korçare, që i fituan lehtësisht të tre setet.

“Ndeshja u dominua nga fillimi deri në fund. Vajzat luajtën një volejboll të shpejtë, me energji, me kombinime, sidomos pasuesja u dallua me kombinime qendër. Besoj rezultati tregon vet. Atë e kemi pohuar që ne fillim, që ne do bëjmë ç’është e mundur që ta mbajmë titullin e fitojmë çdo aktivitet”, tha Orlando Koja, trajner i Skënderbeut.

E zhgënjyer, trajnerja e vajzave të Tiranës, për problemet e shumta që shfaqi ekipi bardheblu. “Ndeshja në gjykimin tim, kam një mendim të dobët për ekipin tonë, ishte një lojë aspak e mirë. Duhet të pajtohem që nuk kemi forca të ndeshemi me Skënderbeun në atë nivel. Nuk treguan asnjë gjë. Nuk ka forcë goditëse. Nuk lirohet sulmi, humbet besimi te njëra-tjetra. Çorientohen. Nuk bëmë asgjë në bllok”, tha Amarilda Prenga, trajnere e Tiranës.

Hanna Okuhara është blerja e fundit e Skënderbeut, me amerikanen që ishte një nga lojtaret më të mira të ndeshjes.

"Kjo ishte ndeshja ime e parë me Skënderbeun, mendoj që ekipi luajti mirë me pasime dhe në goditje. Vajzat me ndihmuan shumë dhe këtë e vlerësoj. Jam krenare për këtë ekip. Jam e lumtur që erdha këtu në Shqipëri. Unë e dua këtë vend. Të gjithë janë mikpritës dhe të gjithë janë gati të ndihmojnë”, tha Hanna Okuhara, volejbolliste e Skënderbeut.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani