Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Vonohet dhënia e bursave për studentët ekselentë

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2022, 14:58 | Sociale
Vonohet dhënia e bursave për studentët ekselentë

Rexhina Buzi ka 4 muaj që pret të marrë bursën e studimit nga shteti për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve në kryeqytet. Në dorë mban një kërkesë të cilën ia adreson Rektoratit për t’u informuar se përse ka një vonesë të tillë.

Si ajo, janë dhe shumë studentë të tjerë të cilët ankohen se nuk e kanë përfituar ende shumën prej 10 mijë lekësh në muaj: “Studioj për drejtësi. Nuk na e kanë hedhur bursën, me atë mund të paguaj konviktin, ushqimet etj. Edhe vitin e kaluar me vonesë i kanë hedhur”.

Sipas Bordit Kombëtar të Studentëve, shumica e tyre nuk e kanë marrë këtë financim mujor, duke kërkuar përshpejtimin e procedurave. Gevio Tabaku shprehet: “Janë 85% që nuk e kanë marrë. Familjet shqiptare janë të mesme e të varfra dhe nuk kanë mundësi që të financojnë sa duhet fëmijët e tyre. Bursa është modeste, por të paktën mbulon diçka”.

Burime pranë Rektoratit i thanë A2 CNN se fondi u ka kaluar pjesës më të madhe të studentëve, ndërsa pjesa tjetër pritet brenda muajit: “Fondi ka mbërritur në janar, por për shkak të verifikimeve të listave të studentëve ekselentë, na është dashur pak kohë konfirmimi i tyre. Vonesa ka më shumë te studentët e Ekonomikut, por ka edhe raste sporadike në Universitetet e tjera. Jemi në mes të sezonit të provimeve dhe besojmë se pasi të përmbyllet kjo fazë, të gjithë studentët do të kenë në llogaritë e tyre pagesat e bursave”. 

Bursa për studentët ekselentë nisi të ofrohet pas protestave të dhjetorit 2018. Shumën prej 10 mijë lekë në muaj e përfitojnë studentët me mesatare mbi 9, studentët e verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë, si dhe ata me ndihmë ekonomike. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu