Xhafaj kundër ndryshimeve për Vettingun në Polici: “SHÇBA nuk ka kapacitetet e duhura”

Gjatë fjalimit në Parlament, ish ministri Fatmir Xhafaj doli kundër ndryshimeve që po i bëhen ligjit të Vettingut në polici. Ai shprehu keqardhje që zbatimi i nismës së hartuar prej tij, u shty me alibi false.
“Në vlerësimin tim, ndryshimet që i bëhen ligjit nuk janë të duhura. Për shumë kohë, SHÇBA nuk do të ketë kapacitetet e duhura për të kryer këtë lloj procesi. Ti besosh Vettingun e 13 mijë punonjësve një institucioni që ka në total 110 punonjës, përfshirë ata të shërbimeve mbështetëse, besoj se do ta ngadalësojë procesin”, deklaroi ish ministri Xhafaj.
Xhafaj komentoi dhe përgjimet e reja që ish deputetët e opozitës nxorën në kuadër të çështjes “Babale”, ku është përfshirë vëllai i tij, Geroni. “Politika e përbaltjes është riaktivizuar ndjeshëm edhe këto ditë. Është bërë e qartë se gjithë historitë e montuara dhe të shfrytëzuara nga “Lolot” e Partisë Demokratike nuk kanë për qëllim drejtësinë apo vërtetësinë”, komentoi ai.
Dhe shtoi. “Unë jam njeri i ligjit dhe do pres gjithë institucionet e ligjit të bëjnë detyrën, konform ligjit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN