Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Zaev favorit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, frikë për pjesëmarrje të ulët

Nga A2 CNN
14 Korrik 2020, 17:04 | Ballkani
Zaev favorit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, frikë

Të sëmurët, të burgosurit, personat në arrest shtëpiak e ata në azile për të moshuarit, do të votojnë në ditën e dytë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Në bazë të Udhëzimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, anëtarët e Bordit Zgjedhor dhe përfaqësuesit e partive politike të cilët zbatojnë votimin në shtëpitë e të sëmurëve, të cilët sipas të dhënave janë rreth 9 mijë, duhet të mbajnë maskë mbrojtëse dhe doreza si dhe të respektojnë distancën e nevojshme fizike.

Gjithashtu edhe personat që votojnë janë të detyruar të respektojnë masat mbrojtëse, si dezinfektimi i duarve dhe mbulimi i gojës dhe hundës. Të hënën, të drejtën për votë e shfrytëzuan 723 persona, të prekur e karantinuar nga Covid-19.

Ndërkaq, dita kryesore e zgjedhjeve do të jetë të mërkurën, më 15 korrik, kur rreth 1,8 milionë qytetarë më të drejtë vote, do të votojnë në zgjedhjet më të pazakonta në historinë e vendit, mes frikës së pandemisë së koronavirusit që ka infektuar mbi 8 mijë vetë e u ka marrë jetën 385 personave.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapur dy më shumë se zakonisht, në përpjekjen për të reduktuar rrezikun e infektimit. E megjithatë, disa banorë të Shkupit mendojnë se apatia e votuesve dhe kërcënimi i koronavirusit do të rezultojë në pjesëmarrje të ulët. “Çfarë na ofrohet? Asgjë, përveç gjërave të vjetra. Njerëzit janë të lodhur dhe nuk duan të votojnë e në të njëjtën kohë kanë frikë nga koronavirusi”, thotë një banor.

Sondazhet i japin përparësi liderit të LSDM-së, Zoran Zaev përballë rivalit të tij nga VMRO-ja opozitare Hristijan Mickovski, megjithatë rezultatet mund të jenë të ngushta. Zgjedhjet do të jenë një test i mbështetjes për Zaev, ish-kryeministrin që kërkon lidhje më të afërta me Bashkimin Europian. Ai shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme vitin e kaluar, pasi BE refuzoi të caktonte datën e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut, pavarësisht kompromisit për emrin me Greqinë fqinje.

Sa i përket partive shqiptare, BDI vijon të jetë e favorizuar. Bashkimi Demokratik për Integrim, në pushtet prej dy dekadash doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptarë,  dhe prezantoi ish-ligjvënësin Naser Ziberi si kandidatin e saj zyrtar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë