Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Zgjedhjet e 25 prillit, Gjoni: Pak shpresë për risi, bëjmë politikë tavolinash dhe jo idealesh

Nga A2 CNN
7 Shtator 2020, 14:59 | Politikë
Zgjedhjet e 25 prillit, Gjoni: Pak shpresë për risi, bëjmë

Tashmë elektorati shqiptar është i njohur me datën e zgjedhjeve të ardhshme, që do të jetë 25 prilli. Një datë që analistja Edlira Gjoni cilëson për A2 si të çuditshme.

“Data e 25 prillit mund të tingëllojë e çuditshme, ajo që më vjen në mendime është fakti që nga tani do të merremi vetëm me zgjedhjet. Do të jetë një torturë psikologjike, mediatike dhe politike për shikuesin dhe votuesin shqiptar, sepse politikës i intereson të vërtitet rreth zgjedhjeve, se i mundëson të heqë fokusin nga probleme si tërmeti, pandemia dhe situata ekonomike”.

Sipas saj, pritshmëritë për risi janë të vakëta, sepse “në 30 vitet e fundit gjithmonë partitë kanë ardhur në pushtet jo nga alternativat, por nga mërzia për partinë që e ka zëvendësuar në pushtet”.

Partitë madje po bëjnë gabimet e përsëritura, sipas saj,  me rehabilitimin e figurave të vjetra “që kishin anatemuar më parë”.  Kjo lë pak shteg edhe për partitë e reja,  sepse në Shqipëri “alternativat e reja janë sfumuar, ndërkohë që kanë mbetur individët e ricikluar, mendoni për G9 dhe Mjaft”.

Jo gjithmonë për faj të këtyre subjekteve. “Jemi vend i vogël, që mezi prodhon dy pole e gjysmë, që mbajnë njëra-tjetrën. Ne bëjmë politikë tryezash jo idealesh, qe t’i hapet alternativës, hapësira publike. Shikoni Blushin, Pollon, Bojaxhiun. Votuesi shqiptar është i pa mësuar të dalë jashtë kornizës së votës së përhershme”, vijoi Gjoni.

Analistja foli edhe për një tjetër ngjarje të rëndësishme, si marrëveshja në Uashington midis Kosovës dhe Serbisë. Për të , fillimisht, nuk mund të flitet teknikisht për marrëveshje. “Një marrëveshje nënkupton praninë e logove të palëve që nënshkruajnë një dokument”.

Ndërkohë, ajo e cilëson si kryevepër diplomatike në funksion të interesave amerikane, sepse “SHBA nuk ka firmosur asnjë marrëveshje, Serbia dhe Kosova kanë firmosur një dokument veçmas”, dhe një pjesë e pikave nuk ka të bëjë me interesat direkte midis Beogradit dhe Prishtinës.   

Por për Gjonin, lajmi i mirë ka të bëjë me sinjalin se, SHBA ka konfirmuar sërish praninë saj në Ballkanin Perëndimor, pasi administrata Trump fillimisht dukej se e kishte hequr nga agjenda e saj diplomatike.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani