Zgjedhjet në Kosovë, KQZ pret datën, qeveria vendimet e gjykatës kushtetuese

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit afro 6 milionë euro. Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur fazën përgatitore përzgjedhjet e vjeshtës, ndonëse pret fondet nga ministria e financave ndërsa kjo e fundit pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkaqet e rënies së qeverisë pas dorëheqjes së Haradinajt.
Edhe kryeministri i dorëhequr Haradinaj, në mbledhjen e fundit të qeverisë tha se pret opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çdo veprim që duhet të ndërmarrë qeveria.
“Meqenëse është situata te baza ligjore, unë nuk e shoh zgjidhjen e bazës ligjore nga takimi me një takim politik, e di që për këtë duhet me marr një opinion prej Gjykatës Kushtetuese për shkak se ne mbajmë përgjegjësi funksionale. P.sh, ministri i Shëndetësisë mundet me pas kërkesë për blerje të barnave me urgjencë që nuk mund të marr vendimin vet dhe nuk ka qeveri më me ia dërguar propozimin”, tha Haradinaj.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka thotë se ky institucion pret dekretin e presidentit për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.
“Jo, ende nuk kemi dërguar kërkesë, sepse nuk mund të dërgojmë kërkesë pa e ditur datën e saktë të zgjedhjeve. Në momentin që kemi në dorë dekretin e presidentit për datën, ne do t’i drejtohemi qeverisë, institucioneve kompetente për shumën e saktë. Ne kemi nisur përgatitjet dhe përzgjedhjet”, deklaroi Daka.
Kreu i KQZ-së thotë se presidentit i ka dërguar edhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, që me shumë gjasë mund të jetë 6 tetori.
Ndërkohë partitë kanë nisur fushatën elektorale, edhe pse ende nuk janë regjistruar në KQZ dhe as janë bërë publike koalicionet parazgjedhore.

Shkarkoni aplikacionin e A2