Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Zgjerimi në det i Greqisë, Metalla: Duhet transparencë në negociata

Nga A2 CNN
27 Gusht 2020, 19:42 | Aktualitet
Zgjerimi në det i Greqisë, Metalla: Duhet transparencë në

Fjalimi i kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis në Parlament se Greqia do të rritet dhe ashtu siç do të marrë 12 milje nga Egjipti dhe Italia, shpreson që këtë ta arrijë edhe me Shqipërinë, futi të gjithë opinionin në një spirale patriotizmi, por edhe meraku se çfarë fshihet pas asaj marrëveshjeje për detin që shpesh nuk kuptohet qartë.

Profesori i Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë, Osman Metalla, ishte i ftuar në “Ditari” në A2 për të na shpjeguar në terma më të thjeshtë se çfarë kërkon Greqia dhe çfarë mund të marrë vërtet. 

“Duhen sqaruar disa koncepte fillimisht. Kemi detin territorial, një zonë nga 0 deri në 12 milje dhe të gjitha shtetet bregdetare kanë të drejtë të kenë territor në det nga 0 deri në 12 milje. Ky det është territor i vendit, siç është toka. Më pas, vjen zona ekonomike ekskluzive, që nis nga pika 0 deri në 200 milje, nëse gjeografia e lejon një gjë të tillë. Tashmë, ne jemi njohur me deklaratat e kryeministrit grek që ka thënë se Greqia do të zgjerojë territorin e saj në det. Kjo është e drejta e saj, por ajo që është shqetësuese është loja e Greqisë që thotë se Shqipëria e ka lejuar Greqinë të shtyjë gjerësinë e saj në detin territorial. Këto janë deklarata jokorrekte sepse nuk e përcakton Shqipëria gjerësinë e palës greke në det. Palët negociojnë mbi bazën e deklarimeve të bëra. Pse Greqia kërkon të ndryshojë tani rregullat e lojës? Është e drejtë e saj që të zgjerohet deri në 12 milje, por këtë të drejtë nuk ka pse ta zgjidhë përmes palës shqiptare”, tha Metalla.

Sipas profesorit, “kjo është një marrëveshje që bëhet një herë në jetë dhe është shumë e rëndësishme”, duke shtuar se “është fatkeqësi që kjo marrëveshje përdoret politikisht”.

“Deti nuk është as i të majtëve dhe as i të djathtëve. Është e rëndësishme përbërja e grupit negociator, që duhet të ketë të gjithë spektrin e interesave që ka pala jonë dhe është shumë e rëndësishme transparenca e negociatave. Marrëveshja e 2009 pati problemin e transparencës dhe po i njëjti problem është për negociatat e këtyre dy viteve të fundit. Ka munguar transparenca dhe kjo shton edhe misterin dhe hamendësimet. Deri më sot, i vetmi informacion që kemi pasur për marrëveshjen e detit kanë ardhur gjithmonë pas deklarimeve të ngazëllyera të palës greke. Opinioni shqiptar nuk ka as minimumin e informimit mbi vendimmarrjen e grupit negociator”, tha Metalla.

A2 CNN Livestream

Dita jonë