Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Zhvlerësimi para zgjedhjeve dhe luhatjet në tregun e këmbimit, çfarë po ndodh me euron?

Nga A2 CNN
19 Maj 2023, 20:14 | Ekonomi
Zhvlerësimi para zgjedhjeve dhe luhatjet në tregun e këmbimit,

Zhvlerësimi i fortë i euros para zgjedhjeve është shoqëruar me rritje dhe zbritje të monedhës europiane në tregun tonë të këmbimit. Një situatë që ka ngritur pyetje të shumta. Çfarë po ndodh me euron?

Për ta kuptuar fillimisht nëse kemi të bëjmë me një dukuri lokale apo ndërkombëtare kemi krahasuar euron me tre valuta të forta.

Kurba e parë është ecuria euro dollar; e dyta euro me paundin dhe e treta euro me frangën zvicerane. Kurba e fundit është këmbimi i euros me lekun shqiptar. Grafiku tregon ecurinë e shkëmbimit të këtyre monedhave me njëra tjetrën gjatë gjithë vitit 2023, ku duket qartazi se euro në Shqipëri është në rënie, ndryshe nga sa ka ndodhur me monedhat e tjera.

Por, le të fokusohemi te periudha zgjedhore, ku mund të vërejmë një përshkallëzim të rënies para zgjedhjeve, dhe sidomos edhe ditën e zgjedhjeve. Ndërsa të nesërmen, euro fillon ngjitjen e shpejtë, duke shënuar një prirje të kundërt me këmbimin e monedhave në botë. Kjo tregon se ajo që po ndodh me euron është një dukuri tërësisht shqiptare.

Le të shohim konkretisht se çfarë vlerash ka prekur euro. Një muaj para zgjedhjeve, monedha europiane shkëmbehej me 112.3 lekë. Dy ditë para zgjedhjeve ajo ra në minimumin historik të 110.8 lekëve. Në harkun kohor të 72 orëve, euro rritet deri në 113.4, ose 23% më shumë dhe zbret sërish shpejt deri në 111.6 lekë.

Cilët janë skenarët e mundshëm që shpjegojnë rritjen e fortë dhe afatshkurtër të euros pas zgjedhjeve. E para, rritja e importeve, që do të shpjegonte tërheqjen e një pjese të euros nga tregu dhe rrjedhimisht fuqizimit e saj. Kjo nuk ka ndodhur.  Mundësia e dytë është blerja e energjisë nga Korporata elektroenergjetike shqiptare. As kjo nuk rezulton. Mundësia e tretë është blerja e euros në treg nga banka e Shqipërisë, që edhe kjo nuk ka ndodhur.

Mundësia e katërt është blerja e sasive të euros në treg nga kompani private, përfshi bankat. Agjentët e tregut informojnë se nuk ka pasur një zhvillim të tillë. Mundësia e fundit është efekti psikologjik, por në këtë pikë nuk ka tregues të matshëm.

Por luhatjet e këmbimit të euros me lekun dëshmohen thuajse në të gjitha proceset zgjedhore, duke shënuar një prirje të qartë.

Kështu, periudhat kur monedha europiane ka pësuar rënien më të fortë në tregun tonë të këmbimit, është në vitet 2005-2008., periudhë kur janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare. Në vitet 2007-2008, kur janë zhvilluar zgjedhjet vendore; 2019-2020 kur krahas zgjedhjeve vendore ka qenë edhe pandemia; në dhjetor të vitit të kaluar, kur euro kishte nisur ciklin e saj rënës dhe së fundmi, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

Datat 13 dhe 14 maj kanë qenë fundjavë dhe nuk ka pasur përditësim të kursit të këmbimit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani