Kikia: Qeveritë në Shqipëri rrëzohen vetë në fund të mandatit të dytë, Rama kërkon përfitim politik dhe nga gjërat e vogla

Gazetari Mentor Kikia u shpreh i rezervuar në mendimin e tij për të thënë nëse kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste e meritojnë një mandat të tretë apo jo në krye të qeverisë.

Sipas tij, historia ka treguar se në fund të mandatit të dytë qeveritë rrëzohen vetë për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit.

Kikia kritikoi dhe sjelljen e kryeministrit në kohët e fundit që sipas tij kërkon të gjejë përfitim politike dhe te gjërat e vogla duke përmendur këtu dhe turet e Ramës në qytetet ku nis për herë të parë procesi i vaksinimit.

“Jam shumë i rezervuar të them se qeveria e PS meriton një mandat të tretë apo jo. Do isha i lumtur ta votonim një qeveri për një mandat të tretë, nuk ka rëndësi ngjyra. Por, për fat të keq, në fundin e mandatit të dytë, ne qeveritë i kemi rrëzuar jo si pasojë e mbështetjes së një alternative më të mirë, por e kanë bërë baltë si pasojë e papërgjegjshmëri, korrupsionit. Deri sa qeveria përpiqet dhe e kam parë kryeministrin që pret kutinë e vaksinave dhe më pas e shoqëron në Shkodër e Vlorë, hyn në dhomën e pleqve. E shoh për të gjetur përfitim politik dhe tek diçka ordinere.

Më duket sikur nuk ka argumente dhe po shfrytëzon vogëlsira për t’u thënë shqiptarëve “shiko jam unë”. Thjesht bënë shëtitje në rrugë të shtruara prej kohësh. Nga përpjekje për të bindur qytetarët, këmbëngulja për ta shitur në mënyrë të dhunshme mund të kthehet në bumerang”, tha gazetari Kikia.