Topalli: Futja në Parlament e njerëzve me precedentë penalë, njolla e Edi Ramës

topalli vurmo 1100x620

Jozefina Topalli deklaroi në “Absolut 4” në A2 se “futja në Parlament e njerëzve me precedentë penalë apo vendosja në krye të bashkive të njerëzve me probleme, do të jetë njollë për Edi Ramën”.

“Një kryetar qeverie apo partie, që bën zgjedhje të tilla për të marrë pushtetin, është një minë me sahat për shtetin dhe qeverinë. Këta që flasin pas 8 viteve, më krijojnë një ndjenjë… sepse atëherë nuk flisnin, me përjashtim të zotit Berisha apo ndonjë tjetri. Unë kam treguar se nuk hesht dhe “trimat pas lufte” më lanë një shije shumë të keqe. Unë mendoj se e kemi kapërcyer kohën për të folur për njerëz me rekorde kriminale. Unë mendoj që mund t’i paraqesim shqiptarëve pjesën e vendit që e kemi lënë pas, kemi nevojë për njerëz me integritet dhe të pakorruptuar. Këtu bëhet diferenca mes kandidatëve që unë paraqes dhe atyre që kemi parë në Parlament vitet e fundit”, u shpreh Topalli.

“Ka njerëz që mund të jenë elitë tjetër politike dhe ndryshe nga ata që kanë parë deri tani. Unë e di që njerëzit janë tërësisht mosbesues ndaj politikës, por nuk ka gjë me më shumë impakt në jetën e tyre sesa politika. Ndaj, ata kanë mundësinë që me votën e tyre të votojnë për integritetin dhe antikorrupsionit”, shtoi Topalli.

Në lidhje me programin e Lëvizjes për Ndryshim dhe programet e partive të mëdha, Topalli theksoi: “Brenda 10 ditësh, sa të mbyllet faza e dorëzimit të listës së kandidatëve, do të shpalosim programin, në të gjitha fushat. Kemi 1000 mundësi që ne shqiptarët të krijojmë vende të reja pune. Evropa po investon shumë në digjitalizim dhe nëse nuk arrijmë që të ndjekim rrymën e zhvillimit, më vjen keq që merremi me gjëra banale dhe nuk shohim thelbin e zhvillimit të ekonomisë. Programet e PD dhe PS janë propagandë, jo për paragjykim, por për shkak të premtimeve që kanë bërë të dy krerët e partive. Unë nuk kam vërejtje për pikat e programeve të partive politike, por kam vërejtje për faktin që e di se janë programe propagandistike”.