Policia “me dorë të hekurt” ndaj atyre që shesin drogë afër shkollave, Balla: Forcojmë Kodin Penal

Nga A2 CNN
5 Shtator 2023, 11:54 | Aktualitet
Policia “me dorë të hekurt” ndaj atyre që shesin

Forcim të Kodit Penal për personat që trafikojnë lëndë narkotike pranë shkollave, por edhe për ata që kapen me armë pa leje.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, që starton më 11 shtator, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka paralajmëruar nga Durrësi dyfishimin e dënimeve në Kodin Penal për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.

“Ne synojmë të dyfishojmë dënimet penale në ngarkim të gjithkujt që përfshihet në shpërndarje, dhe shitje lëndësh narkotike pranë shkollave. Këtë praktikë të re do ta ndjekim edhe në vepra të tjera penale. Një person që do të kapet me armë pa leje, qoftë kjo armë zjarri apo armë e ftohtë brenda perimetrit të sigurisë, ne do të propozojmë edhe për këtë rast dyfishim të dënimit”, tha ministri Balla.

Një rëndësi të veçantë strukturat e Policisë së Shtetit dhe inspektorët e AKU-së do t’i kushtojnë bizneseve që ushtrojnë aktivitetin pranë godinave arsimore për të frenuar fenomenin e konsumimit të pijeve alkoolike nga moshat e reja. Sipas ministrit Balla, nëse do të konstatohen raste të tilla, masat do të jenë drastike.

“Duhet ta kuptojnë të gjitha njësitë e shërbimit, që ndodhen pranë shkollave, që nëse larg qoftë për ta përfshihen në  veprimtari kriminale në dëm të shëndetit të fëmijëve, në dëm të interesit publik, duhet ta kuptojnë që njësitë e tyre do të mbyllen përfundimisht dhe nuk do të hapen më asnjëherë”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Problematika e rindërtimit dhe riparimit të objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, do të jetë prezente edhe këtë vit të ri shkollor në Durrës.

Ende ka shkolla në proces ndërtimi. Gjatë vizitës së tij në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, shoqërohej edhe nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos