Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan komentoi të martën planet e liderit të Koresë së Veriut për të vizituar Moskën.
Sipas Sullivan, diskutimet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë mbi një marrëveshje të mundshme që do t’i lejonte Phenianit të ofronte mbështetje ushtarake për pushtimin në Ukrainë, janë dëshmi se sanksionet ekonomike kundër Rusisë kanë pasur sukses në tkurrjen e bazës industriale të mbrojtjes së vendit.
“Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të respektojë angazhimet e saj publike për të mos furnizuar me armë Rusinë që do të përfundojë duke vrarë ukrainas. Me kalimin e kohës, ne nuk kemi parë që ata të furnizojnë në mënyrë aktive sasi të mëdha municionesh ose kapacitete të tjera ushtarake për Rusinë për luftën në Ukrainë, “tha Sullivan gjatë konferencës për shtyp të së martës në Shtëpinë e Bardhë.
Këshilltari i sigurisë kombëtare tha se administrata e Presidentit Joe Biden ka diskutuar mundësinë që Koreja e Veriut t’i sigurojë Rusisë armë “për mjaft kohë” dhe se është e mundur që në të ardhmen e afërt Kim Jong Un të marrë pjesë në takime personale në nivel udhëheqësish. (A2 Televizion)