
Bumi i promovimit mediatik të Shqipërisë duket se dha rezultate teksa shifrat për 8 muajt e parë të vitit ja kalojnë edhe vitit 2022. Në periudhën janar-gusht 2023 rreth 7.1 milionë turistë zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre ose thënë ndryshe rreth 27% më shumë se një vit më parë.
Kjo shifër i afrohet rekordit prej 7.5 milionë turistësh që u arrit në vitin 2022, i cilësuar si viti më i mirë ndonjëherë në turizëm.
“Reklama që i është bërë Shqipërisë në mediat e huaja ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve të huaj, të provojnë një destinacion të ri përveçse një destinacioni të lirë”, u shpreh operatori turistik Rrahman Kasa.
Teksa korriku mbante rekord deri më tani si muaji me më shumë turistë, duket se muaji gusht ka regjistruar më shumë turistë të huaj. Kjo shifër arriti në 2 milionë turistë një muaj më parë ose rreth 18% më shumë se gushti 2022. Sa i takon shtetësisë së vizitorëve sipas INSTAT përveç shqiptarëve të Kosovës që historikisht kanë shifrën më të lartë, polakët janë ata që kryesojnë nga vendet e BE-së me 9.2 %, italianët me 8.3 për qind dhe më pas vijnë Gjermania me 7 % dhe Spanja me 4.3 %.
“Gjithë turistët që kanë ardhur në mënyrë të organizuar kanë një feedback shumë të mirë për Shqipërinë dhe 70% kanë thënë që do rikthehen. Përsa i përket turistëve që vinë në mënyrë individuale këtu ka disa kategori e mendime. Ka nga ata që erdhën për çmime të lira dhe i gjetën e janë të kënaqur dhe anasjelltas, dhe turistë që vijnë për cilësi”, theksoi Kasa.
Por përtej kulmit të muajve korrik dhe gusht, edhe në shtator turistë vijojnë të vizitojnë Shqipërinë. Sipas operatorëve turistikë pritet që numri i të huajve që vizitojnë vendin këtë muaj të shkojë në 1 milionë.
Gjatë vitit 2023, përveç shfirave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.
Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj. (A2 Televizion)