Për të paguar tre incineratorët nga arka e shtetit kanë dalë mbi 11 miliardë lekë, me kursin e sotëm të këmbimit 108 milionë euro, por vitin e shkuar vetëm 4.4 për qind e mbetjeve u trajtuan nga “djegësat”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë 2022-shit sasia totale e mbetjeve urbane të djeruara ishte 820 mijë e 322 tonë nga të cilat u dogjën për të prodhuar energji më pak se 36 mijë tonë.
“Strategjia e menaxhimit të mbetjeve me anë të djegies ishte e gabuar që në krye të herës ndaj kemi këto rezultate sot. Shumë pak mbetje mund të trajtohen me djegie,” shprehet Mihallaq Qirjo, nga Qendra Burimore Mjedisore.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se sasia e mbetjeve urbane totale të menaxhuara në rang vendi ra vitin e shkuar. Nga mbi 1 milionë tonë gjatë vitit 2020 apo mbi 875 mijë tonë gjatë 2021-shit, vitin e shkuar u menaxhuan rreth 830 mijë tonë.
“Janë një sërë faktorësh. Bashkitë nuk kanë buxhete të mjaftueshme. Menaxhimi i mbetjeve, një problem i trashëguar vijon të jetë pa zgjidhje.”
Ndonëse në rënie në raport me vitet paraardhëse, gjithsesi pjesa më e madh e mbetjeve të gjeneruara gjatë 2022-shit, mbi 628 mijë tonë u depozituan në rreth 200 landfillet e vendit.
“Këto landfille sipas vlerësimeve të vitit 2019 do duhej të ishin mbyllur tashmë, por për shkak të mosfunksionimit të incineratorëve, vijojnë të jenë aktive.”
Në raport me popullatën rezidente, të dhënat e INSTAT tregojnë se vitin e shkuar rezulton të jenë menaxhuar 295 kilogramë mbetje urbane për frymë nga 311 kilogramë gjatë 2021-shit. (A2 Televizion)