Rama: Vitin tjetër nuk duhet të kemi derdhje ujërash të zeza në det e liqene

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 17:12 | Aktualitet
Rama: Vitin tjetër nuk duhet të kemi derdhje ujërash të zeza

8.3 milion turistë për gjatë 9 muajve janë një sukses për kryeministrin Edi Rama, megjithatë, ai thekson se pritshmëritë për vitin tjetër janë shumë të larta. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria synon deri në 9 milion turistë, e ndërsa shtoi se duhen marrë masa që ky fluks turistësh të mos ketë “efekt boomerang”.

“Bumi turistik i këtij viti përtej efekteve na vuri përpara sfidave të mprehta që duhet të nisim t’i adresojmë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që rreziku i këtij nami të mirë është se mund të na kthehet në bumerang është real, bumerang nëse ne nuk do të jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që do të jetë më e madhe se vitin e ardhshëm. Do të sjellë më shumë kërkesë vitin e ardhshëm. Pa diskutim që ne kemi shumë arsye që të jemi krenarë për punën që kemi bërë, të ndjehemi të shpërblyer, të përpjekjeve për të ngjitur shkallët nga një pikënisje jo fort inkurajuese, kemi përpara nesh edhe shenjat më kuptimplota të faktit që mund të ndërtojmë një Shqipëri turistike që do të shtrihet përgjatë 360 ditëve të vitit”, bëri me dije Rama.

Për këtë arsye, ai bëri me dije se një ndër masat më serioze që do të merren është ndalimi i derdhjes së ujërave të zeza në det ose liqen.

“Derdhje ujërash të zeza në det e në liqenin e Pogradecit. Kjo bëhet duke u thënë shumë qartë jo vetëm me fjalë por edhe me një akt të menjëhershëm ligjor por edhe me task forcë. Ata që kanë hotele restorante-kafene, që epoka e gropës mbaroi. Do investosh për derdhjen e ujërave të zeza. Është bërë edhe studimi sa kushton, është një kosto e përballueshme, s’po them që tu vëmë kufirin banorëve për banesat, shtëpitë që kanë gropat skeptike se do ishte  e padrejtë. Kostoja do ishte e papërballueshme, s’janë ata ndotësit më të mëdhenj. Ujërat e kristaltë të Maldiveve të Europës i ndotin ata që na ballë i vënë hotelit 5 yje dhe nga mbrapa i lëshojnë komunitetit mbetjet e yjeve. Nuk mund të vazhdojë”, tha Rama.  

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani