E përditshmja australiane “The Sydney Morning Herald” e ka renditur Shqipërinë mes 12 vendeve mesdhetare më të mahnitshme, që ofrojnë aventura të jashtëzakonshme me çmime të volitshme.
“Shqipëria është një shembull i mrekullueshëm. Këtu ndodhen me dhjetëra destinacione të shkëlqyera, ku udhëtarët e zakonshëm mund të përjetojnë frymën e aventurës dhe të zbulojnë vende pothuajse të panjohura!
Pse duhet të vizitoni Shqipërinë?
Shqipëria është shfaqur si një destinacion në trend, me një stil jetese mesdhetare dhe me një numër në rritje vizitorësh. Kjo pikë e re e nxehtë e pushimeve ndodhet në vijën bregdetare të Adriatikut, dhe në një brendësi tepër të thyer mund të eksploroni kështjella mesjetare, rrënojat e lashta të stilit grek dhe romak.”
Prestigjiozja australiane citon edhe “Lonely Planet”, e cila e renditi Shqipërinë në listën e “destinacioneve më të mira për udhëtime në 2023”.
“Adhuruesit e historisë dhe peizazheve mund të vizitojnë Alpet Shqiptare, qytetet më të bukura të vjetra si Korça dhe Gjirokastra dhe liqenin e Ohrit.”
Porto Palermo është gjithashtu, sipas “The Sydney Morning Herald” një alternativë relaksuese për të shijuar vendpushimet në Mesdhe.
“Mos e humbisni Butrintin, një qytet antik në një gadishull të bukur në liqenin e Butrintit, me pamje nga deti Jon. Monumentet e shpërndara datojnë 2500 vjet më parë dhe përfshijnë një teatër të stilit grek, mozaikë romakë, kështjellën veneciane dhe rrënojat atmosferike të një forumi dhe bazilika.” (A2 Televizion)