“Orë të vështira për ne”, ambasadorja shqiptare në Izrael flet nga aeroporti i Tel Avivit

Nga A2 CNN
8 Tetor 2023, 11:18 | Aktualitet
“Orë të vështira për ne”, ambasadorja shqiptare

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka dhënë një mesazh nga Tel Avivi, për situatën e shtetasve shqiptarë pas ndezjes së konfliktit Izrael-Palestinë, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur qindra persona.

“Unë jam Meri Kumbe, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe aktualisht ndodhem në aeroportin e Tel Avivit. Prej 48 orësh kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme, z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael, për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës, si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”, thotë ambasadorja shqiptare.

“Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael, por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë”, shton ambasadorja shqiptare në Izrael. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos