Dy ditë pasi policia arrestoi shefin e komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj në kuadër të operacionit “Flakë në det”, Prokuroria e Posaçme njofton sekuestrimin e pasurive të anëtarëve të grupit kriminal nga Fushë-Kuqja, që tentuan shkëmbimin e kanabisit me kokainë në mes të detit.
Në total nga SPAK janë sekuestruar 11 pasuri, që përfshijnë një restorant në Luginën e Patokut, disa automjete luksoze, një gomone dhe disa shuma parash.
Në kuadër të këtij operacioni gjykata ka nxjerrë një urdhërarresti edhe për shtetasit, Gëzim Çelaj, Arben Dalipaj, Roland Guzo, të cilët sipas drejtorit të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, është vërtetuar që ndodhen jashtë Shqipërisë.
Hetimet nisën pas 31 marsit, kur policia gjeti në automjetin tip “Mercedez Benz” me targë AB 790 IK, drejtuar nga i dyshuari Armando Papa, 62 pako me peshë prej 41 kilogram e 695 gramë heroinë dhe vijuan kësisoj hetimet për pjesëtaret e tjerë të grupit kriminal.
Ndërkohë, në muajin gusht, policia sekuestroi 23 kg kanabis në velierën “NIULA” me flamur të huaj e cila drejtohej nga dy shtetas ukrainas, të cilët u arrestuan pasi i vunë flakën mjetit lundrues gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike me grupin shqiptar, që përdorte për bazë restorantin në Patok.
PASURITË E SEKUESTRUARA:
1. Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen M.Th. me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673;
2. Automjet i markës Volkswagen, modeli Golf viti i prodhimit 2020 ngjyrë e bardhë me targë, në pronësi të N. Ç.;
3. Automjet i markës Audi, modeli Q8, viti i prodhimit 2018, ngjyrë e bardhë, në pronësi të N. Ç.;
4. Automjet i markës Audi, modeli A8, viti i prodhimit 2017, ngjyrë gri e errët, në pronësi të shtetasit A. I.;
5. Automjet i markës Volkswagen, modeli Golf, viti i prodhimit 2015, ngjyrë gri, në pronësi të shoqërisë “Ayla” shpk.;
6. Mjet lundrues tip Gomone, me ngjyrë gri, me gjatësi 9 m dhe gjerësi 2.7 m, me tre motorë me ngjyrë të zezë, të markës Yamaha 350 V8;
7. Kartëmonedha të prerjes 50 euro, 200 copë, sekuestruar shtetasit A. I.;
8. Shuma monetare 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) Euro, 500 (pesëqind) paund britanik, 50 (pesëdhjetë) franga zvicerane dhe 2 344 500 (dy milion e treqind e dyzetë e katër mijë e pesëqind) lekë, sekuestruar shtetasit N. Ç.;
9. Mjet ujor Zip, gomone me gjatësi rreth 7 metra, me 1 motorr ‘entrobord’, tip Ratox me numër M6237725, ngjyrë e zezë e vendosur në karrelin me numër ROMA86/52;
10. Mjet ujor tip gomone me ngjyrë gri me mbishkrimin AKUILA NERA SEM, me 1 motorr tip SUZUKI, me fuqi 150 hp me numër 02/0z/580020;
11. Mjet ujor tip gomone, ngjyrë e zezë me gjatësi rreth 10m me mbishkrimin “G-RS”, me 2 motor tip Suzuki me fuqi 300 hp secili me numra 3000ZP – 245968 dhe 3000ZP – 245/92. (A2 Televizion)