Parlamenti Europian do të diskutojë gjatë të enjtes për pesë rezoluta të ndryshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë.
Në katër prej dokumenteve kërkohet që Serbia të mbahet përgjegjëse për atë që ndodhi dhe të vendosen masa ndëshkuese ndaj këtij shteti. Gjithashtu u bëhet thirrje palëve që të rikthehen në procesin e dialogut.
Një tërheqje veshi vjen përmes këtyre rezolutave edhe për ndërmjetësuesit, Lajçak dhe Borrell, të cilëve u kërkohet që të kenë një qasje më të balancuar dhe më pak përkëdhelëse ndaj Serbisë. Në rezolutën e Grupimit Social Demokrat të Tonino Picula bëhet thirrje që Bashkimi Europian të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës.
Ndër të tjera, dënohet edhe fushata e rinisur tashmë e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë për Kosovën. Në rezolutën e Partive Popullore Europiane dënohen përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në çështjen Kosovë-Serbi, dhe ngrihen dyshime për një përfshirje ruse në sulmin e Banjskës. (A2 Televizion)