Shqipërinë e vizituan muajin e shkuar 1.1 milionë pushues të huaj duke e zgjatur kështu sezonin veror edhe me një muaj. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në raport me shtatorin e një viti më parë, numri i turistëve është rritur me 45 për qind. Pjesa më e madhe e tyre rezulton të ketë ardhur në grupe për të bërë tur.
“Kryesisht të huajt që vijnë me ture organizohen në pranverë ose muajt e vjeshtës i tani. Mund të them se turistët që vijnë në këto dy stinë janë tamam turistë, ndryshe nga vera ku është e vështirë të identifikosh të huajt”, tha Fjorida Zani, operatore turistike.
Marrë në harkun e 9 muajve, vendin rezulton ta kenë vizituar gati 8.3 milionë të huaj nga rreth 6.4 milionë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë.
“Duke qenë se ka pasur një prurje të madhe të numrit të turistëve, janë detyruar ta shtyjnë dhe në shtator apo maj. Nga viti në vit kemi një ndryshim”, u shpreh Frenkli Prengaj, operator turistik.
Pritshmëri optimiste operatorët kanë edhe për vitin e ardhshëm, teksa tregojnë se tashmë kanë nisur edhe prenotimet nga të huajt.
“Ky fluks do të vijojë pasi Shqipëria vijon të jetë e pa-eksploruar. Ne duhet të përgatitemi që t’i presim ashtu siç duhet”, tha Zani.
“Duhet të investojmë te shërbimet, kryesisht në drejtim të burimeve njerëzore. Stafi ishte “thembra e Aklit” këtë vit”, tha Prengaj.
Pjesa më e madh e të huajve që hynë në vend në harkun e muajve janar-shator kanë ardhur për pushime, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme kanë hyrë në Shqipëri kalimthi. Sipas INSTAT rreth një mijë të huaj kanë hyrë në vend për qëllime shëndetësore dhe fetare. (A2 Televizion)