Gati 300 pasagjerë përfunduan të ulur në aeroportin nga ku ishin nisur pas një makthi që zgjati 7 orë në Japoni. Avioni i kompanisë “Japan Airlines” do të kryente një fluturim brenda vendit, nga aeroporti Haneda në Tokio për në Fukuoka, një fluturim që zgjat vetëm dy orë, por asgjë nuk shkoi si duhet.
Avioni ishte planifikuar të nisej në orën 18:30 dhe të ulej në Fukuoka në orën 20:30, por në momentet e fundit pati një shtyrje të fluturimit prej 90 minutash, raporton NDTV.
Më në fund, avioni ishte në ajër dhe u duk se gjithçka po shkonte normalisht, por vetëm 4 minuta para se të ulej, kulla e kontrollit nuk i dha leje pilotit për shkak të erës së fortë. Pasi qëndroi në ajër për disa minuta në pritje të një tjetër njoftimi, piloti vendosi të fluturojë për në Kansai, duke u ulur aty në mesnatë, por pati mungesë personeli dhe transporti.
Për këtë arsye, avioni fluturoi sërish, këtë herë me destinacion aeroportin Haneda në Tokio, aty ku ishte nisur. Më fund, avioni u ul në aeroport në orën 02:44 të mëngjesit dhe të gjithë pasagjerët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, por tashmë duhej të bënin një planifikim të ri për të shkuar në Fukuoka. (A2 Televizion)