Amnistia fiskale, para emigrantësh apo trafikantësh? - 31 Minuta

Nga A2 CNN
10 Maj 2022, 09:45 | 31 Minuta
Amnistia fiskale, para emigrantësh apo trafikantësh? - 31 Minuta

Shqipëria është një vend me financa të brishta, që sa herë vendosen përpara sfidave të papritura nuk arrijnë t’u bëjnë ballë. Faktorë që herë vijnë nga natyra e herë nga dora e njeriut.

I tillë ishte tërmeti i 26 nëntorit 2019, kur lëkundjet sizmike shkundën jo vetëm godinat, por edhe financat shqiptare. Shifrat e Bankës Botërore treguan se për vitin 2019, rritja ekonomike shkoi në nivelin e 2.1%, një nga nivelet më të ulëta për një vend i cili vinte nga një sezon i suksesshëm turistik.

Në vitin 2020, Shqipëria nuk u vu nën sulmin e armëve, por të një virusi. Covid-19 pushtoi vendin dhe goditi rëndë financat shqiptare. Fillimisht, karantina dhe më pas paketat anti-covid bënë që një pjesë e madhe e parave të shtetit të shkonin për të përballuar situatën e re, me të cilën po përballej e gjithë bota, ndërkohë që arka nuk mbushej më. Kjo, për shkak se një pjesë e madhe e prodhimtarisë u ndal.

Virusi shfaqi të njëjtën egërsi si në trupat që pushtonte, ashtu edhe në statistikat ekonomike, ku nga rritja ekonomike para pandemisë, Shqipëria shënoi rënie me 3.95%.

Këto sfida ishin arsye që qeveria të kërkonte forma të tjera për të injektuar më shumë para në ekonomi. Ideja e cila ndezi debatin publik ishte amnistia fiskale.

Zef Preçi shprehet: “Ideja e amnistisë fiskale qarkullon që nga viti 1998 dhe ishte pas krizës së '97 dhe ndoshta bënte sens për një lloj shkëputjeje midis një periudhë historike dhe një periudhë tjetër. Zakonisht, periudha kthesash krijohen situata që me apo pa vetëdije një pjesë e komunitetit të biznesit dhe qytetarëve nuk janë kontribuues, sipas ligjit në detyrat fiskale të buxhetit të shtetit. Në rastin konkret, mendoj se kjo thirrje e qeverisë dhe ky lloj këshillimi publik reflekton vështirësitë që ka qeveria në sigurimin e të ardhurave”.

Ndërsa Ardian Civici thotë: “Ne kemi më shumë se dy dekada në Shqipëri që diskutojmë për amnisti fiskale dhe ose kemi bërë thjeshtë në disa raste falje fiskale, kryesisht përpara fushatave elektorale, pra e kemi përdorur elektoralisht, por asnjëherë nuk kemi bërë një amnisti fiskale në kuptimin e gjerë dhe të mirëfilltë të saj të paktën sipas shembujve të shumë vendeve të përfshirë vende si Italia, Franca, Gjermani apo edhe vende të tjera që kanë bërë amnisti fiskale në shkallë të gjerë”.

Klotilda Bushka thekson: “Për mua është tashmë momenti që sa i takon amnistisë fiskale të veprojmë sa më shpejt që të jetë e mundur sepse kemi kaq vite që e kemi ngritur këtë si shqetësim dhe jemi ende pa një nismë ligjore”.

Kjo tezë u shtrua në tavolinë kur partitë politike kishin ndezur motorët e fushatës elektorale. Dhe ndonëse i kishte votat në Parlament për të ndryshuar Kushtetutën, mazhoranca u tërhoq nga nisma. Shkak ishin kritikat që kishin mbërritur nga organizatat ndërkombëtare, të cilat herë pas here vinin në dukje se Shqipëria renditet ndër vendet që kanë monitorim të shtuar ndërkombëtar për pastrimin e parave.

Jorida Tabaku, deputete e PD-së, thotë: “Nuk është hera e parë që qeveria shqiptare hedh në treg idenë e amnistisë jo vetëm fiskale, por edhe penale sepse në fakt kështu ka qenë propozimi që ka ardhur në Kuvend në qershor të vitit 2020. Ky projektligj atëherë u tërhoq edhe si rezultat i rezistencës shumë të madhe edhe të FMN, por edhe të Delegacioni të BE-së”.

Muajt kaluan, projektligji i amnistisë fiskale mbeti në sirtar dhe fokusi kaloi te zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e prillit 2021 ishin të suksesshme për socialistët, të cilët arritën të siguronin mandatin e tretë qeverisë dhe marrja e këtij mandati ndezi më shumë shpresat për të miratuar nismat e mbetura në mes siç ishte amnistia. Por, për të materializuar këtë nismë duhen kapërcyer disa pengesa. Pengesa e parë është në Bruksel. Komisioni Europian, i pyetur nga A2 CNN, thekson se kalimi i viteve nuk ka ndikuar në ndryshimin e qasjes së tyre ndaj kësaj nisme. Anna Pisonero tha: “Shqipëria duhet të sigurojë që aktivitetet që i nënshtrohen pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar, të mos përfitojnë nga nismat legjislative në fushën fiskale. Një legjislacion i tillë nuk duhet t’u ofrojë një avantazh të padrejtë atyre që kanë ruajtur asetet jashtë sistemit ligjor. Në këtë kuptim, BE-ja rikujton edhe nevojën për të zbatuar rekomandimet e MONEYVAL dhe planin e veprimit të FATF, duke marrë parasysh që Shqipëria mbetet në listën e vendeve nën monitorim të shtuar”.

Delegacioni Bashkimit Europian në Tiranë ka qenë veçanërisht i zëshëm në qëndrimet e tij mbi çështjen e financave nga aktivitetet kriminale, duke bërë thirrje të vazhdueshme që të “ndiqen paratë”.

Përgjigjja e Komisionit i bën referencë edhe raporteve të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, një organ monitorues i Këshillit të Europës, i njohur gjerësisht përmes emërtimit të shkurtër Moneyval.

Në vlerësimin e Moneyval të vitit 2021, vihet në dukje se Shqipëria nuk kishte bërë progres të mjaftueshëm në përmirësimin e masave kundër pastrimit të parave. Përcaktimi i Shqipërisë pas shqyrtimit të fundit, e etiketoi vendin me statusin “pjesërisht i pajtueshëm”. Ky është vlerësimi që i paraprin statusit “i papajtueshëm”.

Pastrimi i parave në Shqipëri është shqetësim edhe për SHBA-në. Zyrtari i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Benjamin Rockwell, nënvizoi pak ditë më parë se renditja e Shqipërisë në listën gri sa i takon pastrimit të parave, është një njollë turpi për vendin: “Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligj zbatuese. Por fakti që Shqipëria vijon të jetë në listën gri sa i takon pastrimit të parave është një njollë turpi”.

Në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i publikuar në prill të këtij viti, përsëriten kritikat mbi synimin e qeverisë shqiptare për të amnistuar paratë që vijnë nga jashtë vendit: “Një projektligj për amnisti tatimore i publikuar në korrik 2020, nuk u mbështet nga BE-ja, pasi nuk përputhej me praktikat e mira ndërkombëtare për skemat e zbulimit vullnetar. Projektligji nuk është miratuar, por ende misionit nuk i është vënë në dispozicion asnjë informacion për statusin aktual të propozimit për amnisti”.

Këto qëndrime kritike mund të mos jenë më një shqetësim i madh për qeverinë. Kjo e fundit ka gjetur si mburojë, vullnetin e shqiptarëve. Të paktën, kështu pretendon kreu i qeverisë, Edi Rama.

Këshillimi Kombëtar, i cili po luan rolin e një referendumi jozyrtar, përfshinte 12 pyetje mes të cilave ishte amnistia fiskale. Sipas kryeministrit, mendimi i qytetarëve ishte më i rëndësishëm sesa kritikat e huaja: “Nëse shqiptarët thonë po, ne i themi të huajve ne bëjmë çfarë thotë populli”.

505 819 qytetarë kishin plotësuar pyetësorin e qeverisë për çështjen e amnistisë fiskale ku pozitivisht ishin shprehur 332 093 persona. Kjo ishte e mjaftueshme që qeveria të kapërcente pengesën ndërkombëtare: “Ne nuk kemi arritur as pas 30 vitesh të krijojmë një kulturë financiare. Për fat të keq, kjo kulturë ushqehet nga nisma të tilla që në ditët e sotme plekset ngushtësisht dhe me impaktin që kanë paratë me origjinë informale dhe kriminale në ekonomi”.

Jorida Tabaku tha: "Tani risillet i paketuar ndryshe si një ide që vjet nga konsultimi publik që është diçka totalisht joligjore”.

Amnistia Fiskale është ende një koncept në ekzekutivin shqiptar, i cili si mbështetës kryesor ka idenë e sjelljes në Shqipëri të parave të emigrantëve shqiptarë. Mërgata, e cila në numra ia kalon edhe atyre që jetojnë brenda kufirit të Shqipërisë, shihet si një aset i vyer, jo vetëm sepse paratë e tyre mund të konsolidojnë financiarisht Shqipërinë, por për të injektuar një numër të madh parash që mund të çonte në një rritje ekonomike dy shifrore.

Darien Levani, përfaqësues i komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Itali, njëherësh gazetar në vendin fqinj, shprehet dyshues mbi impaktin e propozimit të qeverisë shqiptare, ndaj diasporës: “Ka persona që punojnë në të zezë, ndërtim bujqësi dhe këta kanë shifra të vogla. Pse? Sepse është e vështirë të kursesh më shumë se 5 deri në 10 mijë euro në vit që është gati i pamundur dhe këto i sjell me avion. Pra këta persona nuk kanë nevojë për këtë amnisti. Ata që kanë nevojë janë tatimpaguesit e mëdhenjë që mund të kenë bërë evazon fiskal ose nëpërmjet krimit të orgnaizuar të kenë bërë investime dhe këto kanë nevojë që t'i kthejnë në Shqipëri. Por jo domosdoshmërisht pasi këto para mund t'i investojnë në vende të tjera. Nuk është me doemos që Shqipëria po i bën një nder. Shqipëria si vendet e tjera po bën deklarimin vullnetar. Këtu futen në një thes të gjithë bashkë, nga ai kurbetqari që ka kursyer 2 para te fima që ka bërë evazion fiskal dhe te krimineli që ka bërë lekët në mënyrë kriminale. Duhet pasur shumë kujdes që kjo amnisti fiksale të mos kthehet në një amnisti penal. Pra, si çdo gjë duhet bërë më shumë kujdes”.

Teoritë e qeverisë gjejnë pjesërisht vend te shifrat zyrtare. Banka e Shqipërisë tregon se remitancat, apo paratë e emigrantëve në Shqipëri kanë qenë gjithmonë në nivele të larta. Në dhjetë vitet e fundit, përllogaritet të ketë ardhur në Shqipëri një shumë prej rreth 6.46 miliardë euro në Shqipëri para të cilat kanë qenë një nga shtyllat kryesore e financave shqiptare.

Por, të dhënat që tregojnë kapacitetin financiar të diasporës ngrenë pikëpyetje nëse kjo amnisti ka si qëllim të vërtetë legalizimin e parave të emigrantëve pasi të dhënat thonë se ky fluks monetar nuk është ndërprerë asnjëherë, pavarësisht luhatjeve në vite të ndryshme.

Zef Preçi tha: “Një numër refugjatësh kanë siguruar para dhe këto para i kanë siguruar me punë të ndershme, por nuk i transportojnë dot apo nuk i investojnë dot në ekonominë e Shqipërisë, kjo është diçka navie në thelb. Nëse kanë kryer evazion fiskal atje, janë subjekt i penalizimit apo ndëshkimit në vendet ku kanë kryer këtë vepër të dënueshme sipas ligjit të vendeve të ndryshme dhe nuk janë subjekt i ndëshkimit në territorin administrativ të RSH. Duke realizuar këtë lloj këshillimi me qytetarët që sado koshientë të jenë për të kthyer përgjigje serioze nuk kanë formimin e duhur”.

Klotilda Bushka shprehet: “Nisur nga specifika se një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë vite që punojnë jashtë dhe jo të gjithë ata kanë pasur mundësi që në vitet e para apo dhe më tutje të kenë punuar në kushte të formalitetit. Shumica kanë punuar në informalitet dhe unë flas për ata që kanë bërë punë të ndershme, por që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore apo tatime në vendet e tjera për shkak të situatave jo të sakta apo jo të qarta që mund të kenë pasur lidhur me statusin e tyre si të huaj në një vend të huaj”.

“Këtu po flasim për legalizim e para të cilat nuk vijnë nga emigrantët sepse paratë e emigrantëve këtu në Shqipëri kanë ardhur gjithmonë, ka arritur një qëndrueshmëri marrja e remitancave dhe nuk presim, nuk ka ndodhur në tregun e jashtëm ndryshime që në të presim të ardhura të cilat kanë nevojë për këtë lloj amnistie”, deklaroi Jorida Tabaku.

Krahas flukseve zyrtare, ato që deklarohen në sistemin fiskal shqiptar, është edhe një kategori tjetër parash që tentojnë të futen në Shqipëri në mënyrë jo zyrtare. Njoftimet e Policisë së Shtetit për kapje të parave të padeklaruara në kufi janë tashmë një rutinë e përditshme.

A2 CNN pyeti Policinë e Shtetit se sa para janë ndaluar në pikat kufitare si të padeklaruara. Shuma nuk është aspak modeste. Plot 8.86 milionë euro, 1.14 milionë paund, 277 mijë dollarë dhe 66 mijë franga zvicerane. Ndarë ndër vite, 2018 është koha në të cilën janë sekuestruar më shumë para të padeklaruara, ku përfshihen edhe 3.4 milionë eurot e kapura në çështjen Toyota Yaris.

Interesant është fakti se në dy vitet e fundit, në pikat kufitare janë sekuestruar nga policia më shumë paund britanikë se sa euro, një tregues i mundshëm që fluksi i remitancave jozyrtare, apo parave me origjinë të paligjshme, po vijnë tashmë nga Mbretëria e Bashkuar.

Në këtë vend, praktikisht i gjithë tregu i kokainës sundohet nga grupet kriminale shqiptare, të cilat kanë zhvilluar lidhje direkte me kartelet prodhuese në Amerikën Latine. Ky model i ri biznesi e ka mbushur Mbretërinë e Bashkuar me kokainë, cilësia e së cilës vlerësohet si më e pastra në Europë. Por milionat që gjenerohen nga tregtia e drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale është shumë e vështirë se mund të përdoren pa u pastruar.

Krahas parave, Policia e Shtetit njofton se përgjatë vitit 2020 janë ndaluar si të padeklaruara edhe metale të çmuara. Mbi 4 kilogramë ar dhe pothuajse 5 kilogramë argjend janë sekuestruar përgjatë 12-mujorit 2020 si të pajustifikuara apo të padeklaruara në kufi.

Shifrat në vetvete ngrenë pyetjen, nëse nisma për amnistinë fiskale do të shërbejë për legalizimin e parave të emigrantëve të ndershëm apo parave të pista. Klotilda Bushka deklaron: “Kur flasim për amnisti fiskale apo financiare, nuk flasim për falje totale të detyrimeve. Duket ta kenë të qartë të gjithë qytetarët këtë. Flitet për dhënien e një norme të ulët të një taske apo të një tatimi të caktuar, pra ato të ardhura diku tatohen, por norma e tarifës mund të jetë më e ulët që i jep mundësinë që t'i deklarojnë edhe t'i fusin këto para në qarkullim civil”.

Ardian Civici deklaroi: “Amnistia fiskale duhet bërë për mendimin tim sa më e gjerë e mundshme duke eliminuar shumë nga përjashtimet. Natyrisht do të ketë përjashtime për një kategori që nuk mund të amnistohen, por duhet bërë sa më e gjerë dhe kërkon një konsensus politik për të eliminuar ato debate shumë të forta që ndodhin shpesh që qeveritë i bëjnë amnistitë fiskale në emër të klientelizmit ose të interesave të grupeve të ndryshme financiare ose monetare apo dhe ekonomike dhe industriale në vend”.

Qasja pozitive përplaset me mendimet skeptike, aq më shumë kur bëhet fjalë për para që vijë nga jashtë vendit: “Duke kryer këtë proces vendoset akoma më shumë theksi në këtë kriter të paplotësuar. Unë besoj që është në të mirën jo vetëm të qeverisë, por të ekonomisë, qytetarëve shqiptarë që kjo iniciativë dhe kjo ide të mos kthehet në projektligj dhe politikat e para duhet marrë ndaj atyre që kanë paguar taksa në mënyrë të vazhdueshme. Qeveria nuk mund të jetë borxhlie ndaj atyre që kanë paguar para duke bërë tregti droge, kanabisi dhe të mos jetë borxhli ndaj qytetarëve të saj që kanë paguar rregullisht taksat. Vlerësohet që në vitet e fundit është pothuajse pastruar ose është duke u pastruar në Shqipëri një total prej 1.6 miliardë dollarë që ka ardhur si rezultat i tregtisë së paligjshme të drogës”.

Zef Preçi nënvizon: “Asnjë teori dhe praktikë ekonomike nuk mbështet legjitimimin e parave me origjinë kriminale. Ndërkohë që paratë me origjinë informale apo deri diku të përziera në ekonominë tonë janë përditë që legjitimohen. Teoritë që mund të hapen vende pune etj., janë të tejkaluara në kohë, janë abuzive dhe janë të pamundshme për të ndodhur. Nuk është provuar në asnjë vend dhe në vendet të tjera që kanë tentuar, nuk është provuar që kjo sjell rritje dhe zhvillim ekonomik për të mos thënë që çrregullimet që krijohen nga efektet domino nga një sektor në tjetrin janë të tilla që dëmtojnë në periudha afatmesme dhe afatgjatë interesat imediate të ekonomisë kombëtare”.

Por, a parashikon qeveria në vetvete që amnistinë fiskale ta shoqërojë edhe me amnisti penale, siç ishte propozimi i parë i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë: “Është kategorikisht e pamundur që amnistia të jetë amnisti penale dhe është jashtë çdo arsyeje që amnistia financiare të jetë një amnisti penale. Ka ekspertë, ka modele, ka vende të caktuara që i kanë bërë këto lloj nismash para nesh dhe as që bëhet fjalë për të futur në qarkullim para apo asete që vijnë nga krimi që vijnë nga aktivitetet e paligjshme, që vijnë nga aktivitete të cilat janë të rrezikshme për shoqërinë. Ato të mbeten vepra të dënueshme penalisht dhe nisma jonë për amnisti fiskale dhe financiare do të jetë e kujdesshme që t’i veçojë këto nga teksti dhe parashikimet ligjore”.

Kësisoj, shumica parlamentare duket se ka bërë një hap pas nga viti 2020, kur sipas propozimit të atëhershëm, falja nuk do të ishte vetëm financiare, por edhe penale. Por ajo që ndryshon nga dy vite më parë është konfigurimi në parlament. Nëse në 2020, shumica kontrollonte më shumë se 105 deputetë në sallë, kjo për shkak edhe të djegies së mandateve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot maxhoranca ka në sallë 77 deputetë. Ligjet për amnistitë kërkojnë së paku 84 vota pro, numër të cilën nuk e ka, çka bën të domosdoshme konsensusin me konfigurimet e tjera politike në sallën e Kuvendit.

Klotilda Bushka shprehet: “Mendoj se çdo çështje që do të jetë e debatueshme do të sheshohet përpara se sa nisma të kalojë për miratim. Unë mendoj se një nismë që i shërben interesit të qytetarëve, ndihmon ekonominë shqiptare dhe sigurisht është e kujdesshme në ato subjekte që përfitojnë të jenë pikërisht ata shtetas shqiptar që kanë bërë punë të ndershme pavarësisht se mund të mos kenë qenë punë të deklaruara, është një nismë që do të gjejë mbështetjen e të gjithë aktorëve politik, por kjo kërkon pa diskutim konsultim me të gjithë aktorët politike, kërkon konsultim publik, kërkon konsultim me ekspertët më të mirë dhe ruajtjen e standardeve në nisma të tilla”.

Jorida Tabaku thekson: “Legalizimi i flukseve jo formale të parasë prish konkurrencën në treg. Krijon një pabarazi ndërmjet operatorëve ekonomike. Kemi biznese të ndershme të cilat ndër vite kanë paguar taksat dhe sot po themi që biznese të cilat kanë operuar pa taksa do të fillojmë t’i legalizojmë, do të fillojmë të mbyllim sytë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër krijon një premisë për të ardhmen që bizneset të operojnë në këtë mënyrë sepse thonë se pas pak vitesh do të ndodh përsëri e njëjta gjë”.

Dakordësia deri më tani duket çështje e largët dhe duke qenë se nisma nuk është materializuar në projektligj, ekspertët bëjnë bilancet se si paratë migratore apo jo, mund të përkthehen në më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

“Ndërmarrja e amnistisë fiskale është në kohën më të papërshtatshme në mënyrën më të papërshtatshme dhe njëkohësisht tingëllon si një shkelje syri ndaj atyre grupeve edhe lebeve që momentalisht janë simbiozë nga njëra anë me oligarkinë dhe nga ana tjetër me segmente të caktuara të qeverisjes”, thotë Zef Preçi.

Ardian Civici sqaron: “Ka një eksperiencë që këto para thjeshtë amnistohen dhe vijnë në bankat shqiptare dhe natyrisht ka edhe probabilitet të lartë kundrejt një penaliteti 3, 4 ,5 apo 10% apo më shumë se vende të ndryshme kanë penalitete të ndryshme që shkojnë në favor të buxhetit të shtetit, natyrisht është një e ardhur jo e pakët duke qenë se bëhet fjalë për disa miliarda euro që mund të amnistohen, por ka edhe një kategori tjetër vendesh që ka edhe disa kushtëzime që amnistia shoqërohet edhe me disa orientime dhe kushtëzime që një pjesë e madhe e këtyre parave të investohen dhe të financohen në ekonomi jo thjeshtë depozitohen nëpër baka apo konsiderohen të amnistuara dhe të formalizuara thjeshtë dhe vetëm pse u bë zhvendosja nga shtëpitë apo nga bankat jashtë në bankat brenda në Shqipëri”.

Zef Preçi shton: “Unë nuk pres që të ketë ndonjë tronditje të sistemit përveç humbjes së besueshmërisë së vendit në raport me investimet e huaja direkte. Miratimi i këtij kuadri ligjor, kapërcimi i pengesave siç është FMN apo pengesa të tjera do të bëjnë vendin më pak tërheqës për investimet e huaja direkte në këtë rast ka goditur si klasën e mesme ashtu edhe shtresat e varfra të popullsisë”.

“Mendoj që ne duhet ta shikojmë në një këndvështrim më të gjerë, nga njëra anë edhe thjeshtë edhe vetë përfitimet që ka buxheti i shteti edhe nga penaliteti për këtë kategori parash që do të amnistohen në një përqindje të arsyeshme që do të jetë edhe joshëse në një far mënyrë që ato do ti sjellin paratë dhe të mos tremben ose penalizohen nga përqindje të larta, por mund të shoqërohet edhe me një paketë të veçantë specifike për t’i orientuar këto para si investime në ekonomi çka do të kishte një efekt besoj më të gjerë ekonomik financiar në rritjen ekonomike dhe punësimin në vend”, deklaron Civici.

Por, në vetvete amnistia fiskale është fjale ndaj atyre që nuk kanë paguar taksat gjatë këtyre viteve dhe miratimi i një akti të tillë mund të sjell efekte negative.

Jorida Tabaku thekson: “Të ardhurat që krijohet nga buxheti I shtetit krahasuar me të ardhurat që do të pengojë kjo në të ardhmen, nga prishja e tregut, nga prishja e konkurrencës janë pothuajse asgjë. Unë besoj që qeveria shqiptare do të vijë në vete, do të fillojë dhe do të logjikojë, duhet të lexojë me shumë kujdes edhe të gjitha raportet si nga FMN ashtu edhe nga delegacioni i BE që flasin për normën e përputhshmërisë, pagueshmërisë së taksave sepse kjo këtë nxit”.

Zef Preçi shton: “Kërkon një konsensus me institucionet ndërkombëtare që asistojnë reformat dhe në kohë krizash si këto marrëdhëniet me FMN marrin një rëndësi të posaçëm. Nuk mund të vazhdohet me skema mashtrimi që meqenëse ata nuk investojnë dot, nuk i sjellin dot, nuk kalojnë dot në avion e të tjera naivitete si këto mbasi kjo dëmton më shumë se sa zgjidh probleme”.

Cilado qoftë vendimmarrja, eksperti i çështjeve ekonomike Ardian Civici mendon se nëse falen ata që kanë shkelur ligjin, duhet t’u kërkohet falje atyre që kanë paguar përgjatë këtyre viteve dhe të merren masa të menjëhershme për mospërsëritjen e një nisme të tillë: “Një amnisti fiskale kërkon një ndjesë dhe një falje karshi atyre që kanë qenë korrekt, karshi biznesmenëve që kanë qenë të ndershëm, karshi gjithë qytetarëve që janë sjellë shumë korrekt me pjesën fiskale tatimore dhe me ekonominë formale sepse duhet përgatiten kushtet që të mos ketë asnjë rezistencë për të menduar që a nëse ne bëjmë amnisti fiskale herë pas here dhe unë që jam i ndershëm dhe korrekt po bëhem i pa ndershëm dhe jo korrekt dhe po presë amnistinë fiskale të radhës për të legalizuar ose formalizuar paratë e mia që nuk i kam futur rregullisht në fisk. Thjeshtë një nga po themi vendimet dhe ndërsa pse jo dhe reformat më të rëndësishme që një vend bën në hapësirën fiskale tatimore dhe monetare dhe ekonomike të tij dhe natyrisht kërkon transparencë dhe qartësi maksimale”.

Amnistitë fiskale në vendet europian nuk janë një koncept i panjohur, por ato shoqërohen me një paketë tjetër ligjesh të njohur si “day after”. Ardian Civici shpjegon: “Asnjëherë një amnisti fiskale nuk lihet përgjysmë në sensin vetëm për të bërë gjithë këto lehtësirat për pastrimin e parave, si të thuash futjen në ekonomi të këtyre parave të natyrave informale por shoqërohen me një paketë të përmirësimeve fiskale, përmirësimeve tatimore dhe përgjithësisht të gjithë legjislacionit përfshirë këtu edhe legjislacionin penal financiar dhe ekonomik që të nesërmen e realizimit të amnistisë fiskale mbi 90% e shkaqeve dhe faktorëve që kanë çuar në këtë situatë që detyrojnë të bësh një amnisti fiskale duhet të jenë të mbyllura një herë e përgjithmonë që të mos ndodh kjo. Pra ndodh një përmirësim dhe konsolidim fiskal, tatimor monetar, ashtu siç shoqërohet pastaj dhe me rifutjen në ekonomi të gjithë këtyre parave informale në përgjithësi sepse brenda ka grupime të ndryshme”.

Edhe nëse përqindja ndaj legalizimit të këtyre parave mund të jetë e majme për buxhetin e shtetit, Shqipëria vijon të vuajë nga një fenomen tjetër, informaliteti. Pavarësisht se qeveria njoftoi në fillim të këtij viti se do të ndërmarrë një aksion të gjerë kundër informalitetit, të ardhurat në buxhet në muajt e parë nuk dëshmojnë ndonjë luhatje të jashtëzakonshme në grafikun e të ardhurave.

Jorida Tabaku thotë: “Për ekonomi si Shqipëria hapi i parë duhet të jetë formalizimi dhe në momentin kur i ke të gjitha të formalizuara atëherë ti mund të mendosh për një amnisti fiskale por në momentin kur më shumë se gjysmën e ekonomisë jo formale, kjo jo vetëm që është një masë e nxituar që prish konkurrencën që dëmton biznesin e ndershëm, por nga ana tjetër, kjo krijon edhe favorizime. Amnistia në të ardhmen do të nxisë mospagesë taksash duke presupozuar që kjo do të ndodh përsëri sepse kur ndodh një herë kjo mund të ndodh përsëri. Për së dyti edhe rrezikun e jashtëzakonshëm që do të vendos nga pikëpamja e procesit të integrimit”.

Nëse nga njëra anë shihet luftimi i informalitetit si mundësi për të rritur të ardhurat buxhetore, nga krahu tjetër janë investimet e huaja. Në qasjen e tij eksperti i ekonomisë Zef Preçi mendon se përzierja e parave në Shqipëri do të largojë edhe më shumë investitorët e huaj: “Nëse sot ka nevojë për nevojën e diversikimit të investimeve të huaja direktë që janë në Shqipëri, për të mos lejuar kinezërimin e tyre, apo arabizimin e tyre apo turqizimin e tyre, apo ivenstimeve me origjinë Rusinë apo vendeve të tjera, pra ka nevojë për një difersifikim të burimeve, në rastin konkret do të ketë një vështrim me lupë sa i takon investitorëve me origjinë vendet e BE dhe ato që njihen ndryshe si “brand names” në të njëjtën kohë do të ketë një vëmendje të shtuar drejt një situate më të favorshme për investimet nga vendet që përmenda”.

Diskutimet për amnistinë fiskale po bëhen në një kohë kur vendi pret “PO-në” zyrtare për të nisur bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian dhe europianët jo pak herë e kanë shprehur skepticizmin e tyre ndaj kësaj nisme. Jo se do të vendosen kushte mbi kushte, por menaxhimi i situatës ‘post factum’, mund të bëhet më i vështirë për plotësimin e standardeve të BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Zef Preçi thotë: “Historia e vendeve në periudhë para anëtarësimit ka treguar që është përgjegjësi e klasës politike drejtuese të vendit marrja e vendimeve qoftë edhe me impakt negativ afatgjatë në ekonomi”.

Jorida Tabaku shton: “Fillimi i konferencës së parë qeveritare nuk do të thotë se ty të fillojnë negociatat. Një nga këto parakushte është pastrimi i parave. Pastrimi i parave dhe dalja e Shqipërisë nga lista gri e Moneyval dhe vlerësimi nga Instituti i Bazelit janë dy elementët kyç që lidhen me mbajtjen e konferencës parë ndërqeveritare por njëkohësisht me nisjen e negociatave dhe bisedimeve”.

Ardian Civici thotë: “Kjo është pika më delikate e kësaj amnistie fiskale dhe përgjithësisht e amnistie fiskale ndaj kërkohet një legjislacion dhe një ligj shumë i qartë për amnistitë fiskale se deri ku do të shkohet me tolerimin apo me amnistinë për kategoritë e ndryshme të parave. Natyrisht paratë kriminale ndaj quhen të tilla, janë pjesë e aktiviteteve kriminale të të gjitha llojeve. Ndoshta nuk do të ishte shumë e ndershme dhe korrekte që ato para të aministohen”.

Klotilda Bushka shprehet: “Vendet e botës që kanë bërë të njëjtin model i kanë parë frutat pozitive në ekonomi të këtyre nismave dhe është tashmë me statistika në ato vende që e kanë bërë që po ka pasur efekte pozitive në ekonomi. Në radhë të parë shtetasit shqiptar do të kenë mundësi që të deklarojnë pasuritë të cilat nuk i kanë pas deklaruar më parë. Duke i pasur do të kenë mundësi t’i qarkullojnë në ekonomi, do të kenë mundësi të krijojnë biznese, do të kenë mundësi të punësojnë familjarët e tyre por edhe të tjerë. Kështu që këto janë të gjitha premisa që japin qëndrueshmëri në ekonomi”.

Televizioni A2 CNN kërkoi një koment mbi nismën nga Ministria e Financave, të e cilën e pyeti mbi nivelin e saj të përfshirjes në draftin e pritshëm, si dhe në cilën pikë ndodhej përgatitja e projektligjit. Deri në momentin e publikimit të këtij materiali, nuk pati një përgjigje nga ministria.

E ndërsa debati publik është rindezur si dy vite më parë, qeveria duket e qetë dhe e vendosur në qëllimin e saj, qëllim të cilin fillimisht duhet ta miratojë në Këshillin e Ministrave dhe më pas ta dërgojë për miratim në Parlament, vend në të cilin jozyrtarisht kanë nisur negociatat për të plotësuar numrin 84. (A2 Televizion)

https://youtu.be/ybIWDisR6yE

A2 CNN Livestream

Latest Videos