Juristi Jordan Daci, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, deklaroi se shembja e Teatrit Kombëtar “ishte vetëm këmba e fundit e demokracisë”.
“Teatri ishte vetëm këmba e fundit e demokracisë. Tashmë, çdo shqiptar duhet ta kuptojë se kufizimi i të drejtave nuk u bë për pandeminë, por për të mbrojtur pushtetin”, theksoi Daci.
Në lidhje me personat e shoqëruar në polici, avokati deklaroi se policia ka ushtruar dhunë të pajustifikuar gjatë shoqërimit.
“Dhuna ka ndodhur në momentin e ndalimit dhe shoqërimit nga ana e policisë. Atje kanë shkuar policë pa numra identifikimi dhe kanë shkaktuar dhunë joproporcionale. Ndërsa veprimet e policisë në komisariat kanë qenë korrekte”, u shpreh Daci.
Sipas tij, personat e shoqëruar rrezikojnë edhe burgun: “Kundërshtim i forcave të rendit dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, këto janë veprat për të cilat mund të ndiqen penalisht personat e shoqëruar sot në polici. Këta persona, me ndërhyrjet e reja nga Parlamenti, rrezikojnë burgun. Shpresoj që prokuroria të jetë e kujdesshme dhe të mos procedojë njerëzit për shkelje të rregullave të karantinës, pasi gjykoj se situata e karantinës po keqpërdoret nga shteti”. (A2 Televizion)