Realiteti i Nikaj Mërturit dhe “pritat” e rilindjes në “përrojët” psiqik të këtij regjimi

Nga A2 CNN
28 Qershor 2026, 15:31 | Blog

Realiteti i Nikaj Mërturit dhe “pritat” e rilindjes në

Nga Isuf Çelaj

-Gjëja e fundit për të cilën mund të kishin nevojë banorët e Nikaj-Mërturit do të ishin pritat e lumenjve (apo të „përrenjve“, siç preferon t'i quajë Rilindja).

Banorët punëtorë e fisnikë të kësaj krahine piktoreske të Alpeve shqiptare të cilën Zoti e ka mrekulluar me një nga natyrat më magjepsëse në Shqipëri, ku evidentohen perlat si Curraj i Epërm, Qeresh-Mulaj, Curraj i Poshtëm, Salca, Vrana e Kakia meritojnë vëmendje dhe jo harresë.

Është një antitezë e skajshme që kjo krahine “Nderi i Kombit“, e cila për nga numri i popullsisë i ka dhënë Malësisë së Gjakovës dhe mbarë Shqipërisë me dhjetëra artistë, sportistë, shkrimtarë, inxhinierë, historianë, juristë, ekonomistë,
agronomë, Profesorë e Akademik dhe profesionistë të shkëlqyer, por në këto 14 vite të regjimit të Rilindjes është lënë në harresë të plotë.

#Çfarë kërkon me urgjencë sot Nikaj-Mërturi? Infrastrukturë Rrugore: Ndërhyrje emergjente në të gjithë rrjetin rrugor të të gjitha fshatrave të zonës.

Energji Elektrike: Ndërhyrje të menjëhershme në rrjetin e transmetimit. Siç shihet edhe nga pamjet në terren, rrjeti është tejet i amortizuar dhe daton që nga 25 tetori i vitit 1970, kur u bë elektrifikimi i vendit.

Dhe siç shifen edhe në pamjet bashkëlidhur këtijë postimi kjo është gjendja faktike sot në Kabinat elektrike në fshatrat Salcë, Lekbibaj (Ndërrush), Peraj, Mserr, Vranë, Kapit dhe Gjonpepaj janë në gjendje shumë të amortizuar, duke paraqitur rrezik për furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike. Këto kabina kërkojnë ndërhyrje dhe investim urgjent për rehabilitimin ose zëvendësimin e tyre. Paradoksi deri në cinizëm është se kjo krahinë prodhon energji (përmes HEC-it në lumin e Mërturit), por në shtëpitë e vetë banorëve dritat mungojnë!

Subvencione: Mbështetje reale për blegtorët e kësaj zone.
Turizëm dhe Agroturizëm: Grante dhe investime për zhvillimin e bujtinave dhe promovimin e produkteve BIO të zonës.

Arsim dhe Shëndetësi: Investime serioze në infrastrukturën shëndetësore dhe arsimore për banorët.
Lista e nevojave reale është e gjatë nëse do të kishim një qeveri të përgjegjshme. Pritat lumore duhet të ishin të fundit në radhë! Të gjitha këto problematika i kam ngritur me dhjetëra herë në seancat e komisionet parlamentare, por kanë rënë në veshët e shurdhër të kësaj qeverie.

Ku janë sot ata përfaqësues të rilindjes të cilët u priten me bujari e fisnikëri siç dinë të presin mikun e mysafirin banorët fisnik të këtyre anëve, të cilët u gënjyen me premtime boshe për investime këta banorë?!!!!

Nga analizimi i informacioneve të paraqitura këto ditë nga Njësia Administrative e cila ka bërë shumë mirë që ka bllokuar punimet dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), bie në sy një emërtim që unë do të doja shumë të ishte thjesht një lapsus: Lumi i Mërturit quhet „përrua“!

Si përfaqësues i këtyre banorëve në Parlamentin e Shqipërisë, kërkoj transparencë të detajuar për këtë projekt dhe investim të KESH-it. Banorët nuk janë kundër zhvillimit apo investimeve, por ato duhet të jenë në përputhje të plotë me mbrojtjen e natyrës së virgjër të kësaj zone.
Për ditën e hënë është lënë një dëgjesë publike. Dakord, le të mbahet, por kjo i bie siç thotë populli: “Pas pilafit“ose “Si kofini pas të vjelit“.

Për çdo projekt, dëgjesat për VNM (Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis) duhet të zhvillohen përpara se të miratohet projekti! Megjithatë, kjo nuk përbën më çudi, pasi të gjitha institucionet e Rilindjes ndjekin modelin e “Naltgjatësisë“, ku çdo gjë miratohet ashtu siç ia do midea atij dhe sejmenëve të tij në çdo nivel qendrorë e lokal.

#Thirrja dhe qëndrimi im, si dhe i Partisë Demokratike, është i prerë:
Të bëhet transparencë e detajuar dhe reale për banorët e Nikaj-Mërturit lidhur me këtë projekt! Të bllokohet dhe, nëse nuk plotëson kriteret mjedisore, të anulohet menjëherë!

I bëj thirrje qeverisë qendrore, asaj lokale dhe të gjitha institucioneve të vendit: ktheni vëmendjen nga banorët e kësaj krahine! Miratoni fonde për financimin e projekteve që sjellin zhvillim real te kësaj zone kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike.

Nikaj-Mërturi ka nevojë për mbështetje me financime reale, jo për projekte që shkatërrojnë mjedisin dhe trazojnë mendjet e ndjenjat e këtyre banorëve fisnikë!

Është toka e tyre që të parët ua kanë lënë trashgim dhe ata janë të gatshëm ta mbrojnë me çdo sakrificë!
#Siç ka thënë i madhi At Zef Pllumi: Atje mbretër janë tetan! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos