Si funksionon propaganda ruse? Shembulli i ish-diplomatit maqedonas Risto Nikovski

Nga A2 CNN
5 Qershor 2026, 15:21 | Blog

Si funksionon propaganda ruse? Shembulli i ish-diplomatit maqedonas Risto

Nga Enver Robelli

Në programin e mëngjesit të televizionit shtetëror serb RTS sot u shfaq me një analizë edhe ish-diplomati maqedonas Risto Nikovski. Ai foli lidhur me Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit, i cili do të mbahet nesër në Tivat të Malit të Zi. Nikovski, 84-vjeçar, ish-ambasador në Londër, Moskë dhe Tiranë, u shpreh skeptik sa i përket zgjerimit të BE-së. Tha se vetëm Mali i Zi ndoshta do të pranohet, ndërsa Shqipëria jo - ose vetëm nëse Washingtoni i bën presion Brukselit që ta pranojë.

Por, sipas Nikovskit, “Europa momentalisht është në kaos, e humbur në gjithësi, dëshiron të luftojë me Rusinë, gjë që është marrëzi origjinale, kuptojeni këtë. Europa nuk mund të jetë e bashkuar, e sigurt, progresive dhe e zhvilluar pa Rusinë. (...) Mbi 40 për qind e territorit të Europës i përket Rusisë, e ata duan të luftojnë me Rusinë. Po them: Europa është në kaos, nuk ka asnjë indikator se atje po rregullohet diçka; përkundrazi - këta duan të luftojnë me Rusinë. Ideja që krejt Ballkani të jetë pjesë e BE-së, kjo është jashtë çdo logjike”.

Vetëm vini re: brenda një deklarate të shkurtër, ky ish-diplomat maqedonas thotë tri herë se Europa dëshiron të luftojë kundër Rusisë. Tri herë e përsërit të njëjtën rrenë! Edhe pretendimi i tij se Europa na qenkësh në kaos - është rrenë! E madhe.

Kjo është propagandë e Kremlinit, e përhapur nga një ish-diplomat maqedonas. Kjo është retorikë antieuropiane e një ish-zyrtari të lartë shtetëror të Shkupit. Nuk është fare rastësi që ky person flet për televizionin shtetëror serb, një vatër e shpeshtë e dezinformimit.

Ajo që thotë Nikovski nuk dallon fare nga gjuha e propagandistëve të Vladimir Putinit, të cilët kërcënojnë Europën në pothuajse çdo emision debati në televizionet ruse. Europa nuk ka asnjë interes të luftojë kundër Rusisë. Europa po e përkrah Ukrainën, e cila është sulmuar brutalisht nga Rusia.

Nikovski nuk e tha asnjë fjalë për dështimet e qeverisë maqedonase - një qeveri e dominuar nga partia VMRO, e cila, siç po shihet, po vegjeton në popullizëm dhe nuk po tregon gatishmëri për të zbatuar reforma që do ta çonin vendin përpara në rrugën europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos