Përfaqësuesi i opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, u shpreh se “më në fund, paketa e dytë e amendamenteve pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me 7 ligjet që u miratuan nga Këshilli Politik me konsensus në korrik, gjeti dritën e diellit në Kuvend, edhe pse përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik kishte deklaruar që më 27 korrik se ato ishin depozituar në Kuvend në përputhje me Marrëveshjen e 5 qershorit”.
“Përgjatë dy muajve, asnjë prej këtyre ligjeve nuk u përfshi në programin e punës së Kuvendit, duke shkelur Marrëveshjen e 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit. Ligjet u miratuan në korrik në Këshillin Politik si pjesë e Marrëveshjes së 5 qershorit, por për dy muaj u mbajtën të fshehur në sirtarët e Kuvendit. U desh presioni i Opozitës në Këshillin Politik ditën e martë 22 shtator dhe presioni ndërkombëtar që përfaqësuesit e PS t'i nxirrnin nga sirtari pas dy muajsh fshehjeje dhe t'i regjistronin sot në Kuvend. Njëri ligj i kalon SPAK-ut kompetencën për të hetuar shitblerjen e votës. Një ligj i shtrëngon rripat prokurorisë së zakonshme për të goditur krimet e tjera zgjedhore dhe jo t'i tolerojë ato siç ka bërë deri më sot. Një ligj qartëson rolin e policisë në zgjedhje që Kryeministri të mos i japë më urdhër policëve që të bëjnë fushatë për PS. Ligjet e tjera godasin fenomene të tjera që cenojne zgjedhjet. Të gjitha të miratuara mbi bazën e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik. Por sot, sharlatanët e mazhorancës na i paraqiten sikur janë iniciativat e tyre. Ata kanë vetëm një detyrë tani mbi bazën e Marrëveshjes së 14 janarit: t'i miratojnë këto ligje pa asnjë ndryshim, siç janë miratuar nga Këshilli”, shkruan Bylykbashi në Facebook.
“Ato ligje sot duhej të ishin miratuar e të ishin në fuqi, por Edi Ramës nuk i intereson goditja e krimit zgjedhor. Atij i intereson të ndryshojë rregullat konsensuale të lojës, jo të miratojë rregulla që i lidhin duart më 25 prill 2021 atij dhe kriminelëve që ka pas. Sado që të përpiqet, më 25 prill 2021 Edi Rama ka takim me fundin e tij politik”, shtoi Bylykbashi. (A2 Televizion)
