Pas më shumë se tre muajsh në paraburgim kryetari i bashkisë së Himarës Fredi Beleri u vizitua nga deputeti grek i partisë Demokracia e Re Angelos Syrigos në spitalin e burgut në qendrën spitalore “Nënë Tereza”.
Pas takimit me Belerin, Syrigos deklaroi se shteti shqiptar nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim si për rastet e tjera dhe nënkuptoi se çështja do të dërgohet në Bruksel. Sipas tij shteti shqiptar ka shkelur një seri të drejtash duke përfshirë të drejtën e Belerit për tu betuar për zgjedhjet e majit.
“Dështimi i autoriteteve shqiptare për të marrë masat e nevojshme për lirimin e Belerit ose te lejoje betimin e tij po krijon një rrezik serioz për heqjen e tij nga zyra e kryetarit te bashkisë. Kjo do të krijonte një përkeqësim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kemi tre çështje këtu. E para është sundimi i ligjit. E dyta është prezumimi i pafajësisë për një person, i zgjedhur kryetar bashkie dhe e treta është respekti i të drejtave civile. Do të flas për çështjen e tretë sepse nuk është e kuptueshme për ne dhe Bashkimin Evropian përse një person i zgjedhur me votë, i cili nuk ka përfunduar procesin gjyqësor nuk mund të shkoje në zyrën e kryebashkiakut për të bërë betimin. Është një çështje serioze për ne dhe nuk ka të bëjë me burgimin apo veprat penale që rëndojnë mbi të. Këto çështje po merren në konsiderate nga Bashkimi Evropian dhe mund të bëhen pengesa serioze për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe negociatat të cilat do të fillojnë shumë shpejt. Sundimi i ligjit, prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i të drejtave civile.”
Deklarata e deputetit grek Angelos Syrigos
Arrestimi i i kryebashkiakut himariot ka rritur tensionet me shtetin fqinj, ku zyrtarë grekë kanë kërkuar lirimin e tij. Të hënën skadon afati tre mujor kur Fredi Beleri duhej të betohej si kryebashkiak i Himarës.
Sipas deputetit grek mes 31 rasteve të hetuara për korrupsion në zgjedhjet e majit vetëm njëra, ajo e Fredi Belerit u vendos me burg. Për rastin reagoi dhe Ministria e Jashtme greke duke e konsideruar si një goditje të perceptimit evropian të shtetit të së drejtës.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa ishte denoncuar në Prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para për vota. Sipas prokurorisë, ai iu premtonte qytetarëve se në këmbim të votës do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek.
Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij (A2 Televizion)