Dështon gjyqi paraprak, Tushe kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Nga A2 CNN
24 Janar 2022, 15:27 | Kronikë
Dështon gjyqi paraprak, Tushe kërkon lirinë në Gjykatën

Gjykata e Posaçme shtyu për në 2 shkurt seancën paraprake ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe dhe 10 të bashkëpandehurve të tij, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.

Seanca ku do të vendoset nëse dosja kalon për gjykim, pushohet, apo kthehet për plotësim të hetimit dështoi për shkak të mungesës së avokatëve të disa prej të pandehurve. Ndërkohë, Tushe i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga qelitë e paraburgimit. Ish-kryebashkiaku dhe katër të arrestuar të tjerë për të njëjtën çështje kanë kundërshtuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të Posaçëm, që la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tyre. Çështja ka për relator gjyqtarin e Lartë Sokol Binaj dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.

Fatos Tushe dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë Lushnjë, u prangosën më 6 korrik të vitit të kaluar, pas dyshimeve të abuzimit me një tender prej 23 milionë lekësh për rehabilitimin e një kanali vaditës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos