Dush me ujë të ftohtë, tualete pa dyer dhe punë e detyruar në minierë, jeta brenda burgut famëkeq të Spaçit

Nga A2 CNN
23 Maj 2023, 14:14 | Aktualitet

Dush me ujë të ftohtë, tualete pa dyer dhe punë e detyruar në minierë, jeta brenda burgut famëkeq të Spaçit

Të dielën u përkujtua 50-vjetori i revoltës së të burgosurve politikë në burgun e Spaçit, që u zhvillua më 21 maj të vitit 1973. Në revoltën që zgjati dy ditë, të burgosurit kërkonin kushte më të mira jetese, edhe pse brenda qelive dhe të rrethuar nga mure të lartë. Ajo u shtyp më 23 maj 1973 dhe pasi u shpallën fajtorë për organizimin e saj, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan 4 të burgosur, Skënder Daja, Dervish Beka, Hajro Bashai dhe Pal Zefi.

I vendosur në fshatin Spaç të Mirditës, burgu i sigurisë së lartë u bë “shtëpia” e një pjese të mirë të disidentëve të regjimit komunist, të cilët kundërshtonin diktaturën. Që nga viti 2021, kjo godinë shërben si muze i kujtesës së krimeve të sistemit totalitar.

Por si ishte jeta brenda burgut? Si e kalonin ditën të burgosurit, nën masa të rrepta sigurie dhe tërësisht të izoluar nga bota e jashtme?

“Pjesa dërrmues e tyre ishin të burgosur politikë”, tregoi në “Dita jonë” në A2 CNN Admirina Peçi, kuratore e një ekspozite që sjell përmes skicave të realizuara nga Ina Elezi, atë që ndodhte brenda në burg. “Përveç se një vend i izoluar, mes maleve, aty pranë ishin edhe dy miniera me bakër dhe pirit, që ishin për regjimin shpëtimi financiar”.

https://youtu.be/-QGf0j1tIV0

Sipas dëshmive, në një dhomë mund të qëndronin në periudha të ndryshme edhe 50 të burgosur, ndërsa tualetet (nëse mund të konsiderohen të tilla) ishin të hapura. “Aty mund të ishin njëkohësisht edhe 35 vetë duke kryer nevojat e tyre personale”, tregon Peçi. “Mungesë e plotë intimiteti. Dushet ishin me ujë të ftohtë dhe shumica e të burgosurve e ngrohnin ujin me kazanë”.

Mëngjesi shërbehej në orën 6:00, më pas të burgosurit niseshin për në minierë, ku kryenin punë të detyruar në kushte çnjerëzore. “Në mëngjesin hanin supë, sepse të paktën aty kishte pak mish, që të kishin pak fuqi gjatë ditës”, tregon Peçi. “Dreka ishte një supë me perime, e shoqëruar me oriz ose pak makarona, ndërsa darka çaj me djathë. Sipas dëshmive, norma ditore ishte 900 gramë bukë në ditë dhe 40 gramë mish, që merrej në raste shumë të rralla”.

Në këto kushte, e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte ushqimi që sillnin familjarët, edhe ai i kufizuar dhe i ndarë me racione nga drejtuesit e burgut.

Në minierë kushtet ishin të tmerrshme, sidomos në galeritë e piritit. “Temperaturat shkonin deri në 50 gradë celsius, shkriheshin shinat, vagonët shkatërroheshin nga acidi. Ishte një punë e tmerrshme”, tregon Peçi. “Sipas përllogaritjeve të të burgosurve mund të mbushnin me lopata deri 12 tonë në ditë”.

Në një nga skicat tregohet edhe vullneti i këtyre të burgosurve për të mos u dorëzuar kurrë, pasi në mes të “ferrit”, ata gjenin forcë për të mësuar edhe gjuhë të huaja. “Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë. Edhe të rinjtë që shkuan aty në vitet në vazhdim, gjetën aty njerëz të shkolluar në perëndim dhe morën prej tyre mësime që ndoshta as në fakultetet jashtë ku shkonin prindërit tanë nuk ishte kjo qasje perëndimore”, thotë Peçi.

https://a2news.com/2023/03/17/10-burgjet-me-te-sigurta-ku-vuajne-denimin-njerezit-me-te-rrezikshem-ne-bote/

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos