Gjendet i dekompozuar trupi i një koreano-jugori në Shkodër

Nga A2 CNN
8 Gusht 2023, 11:22 | Kronikë
Gjendet i dekompozuar trupi i një koreano-jugori në Shkodër

Një ngjarje e rëndë është raportuar në Shkodër, ku është gjetur trupi i dekompozuar i një shtetasi korean, i cili kishte marrë një banesë me qira në lagjen “Naim Gjylbegu” të qytetit.

Njoftimi është dhënë nga pronari i banesës, i cili kishte shkuar për të parë, pasi qiramarrësi i ndjerë prej disa kohësh nuk i përgjigjej telefonatës së tij.

Policia, e cila shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, njofton se nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur disa doza lënde narkotike, çka mund t’i ketë shkaktuar edhe vdekjen.

“Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nga shtetasi A. V., 38 vjeç, se në banesën që kishte lënë me qira, në lagjen “Naim Gjylbegu”, kishte gjetur të dekompozuar trupin e shtetasit D. K., 39 vjeç (qiramarrësi), lindur në Korenë e Jugut dhe banues në Shkodër (që nga muaji shkurt i vitit 2022).

Sipas deklarimeve të 38-vjeçarit, ai kishte shkuar në këtë banesë, pasi prej muajsh nuk kishte përgjigje nga qiramarrësi i saj, shtetasi D. K., dhe kur ka konstatuar trupin e dekompozuar të këtij shtetasi, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Nga këqyrja paraprake e trupit të 39-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa nga kontrollet e imtësishme në këtë banesë, janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike. Paraprakisht dyshohet se shtetasi D. K. e ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.”

Njoftimi i Policisë së Shkodrës

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi