Ibrahimaj: Biznesi i vogël nuk do të tatohet. Lista e profesioneve që do të taksohen

Nga A2 CNN
22 Qershor 2022, 21:22 | Ekonomi
Ibrahimaj: Biznesi i vogël nuk do të tatohet. Lista e profesioneve

Në një intervistë në A2 Business nga Aurora Sulçe në A2 CNN, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u shpreh se biznesi i vogël do të vijojë të mostatohet edhe me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat.

“Ligji aktual për tatimin mbi të ardhurat ka mbi 23 vite që është në fuqi, gjatë viteve që ka pësuar ndryshime të shumta, ndërsa kemi vite që po punojmë për një ligj të ri. Ky ligj është punuar me ndihmën e FMN-së, ka pasur një asistencë të gjatë. Pandemia dhe tërmeti nuk na lejuan të bënim ndryshimet.

Biznesi i vogël nuk do të tatohet. Ne kemi marrë një angazhim që deri në vitin 2029 të ardhurat nga biznesi i vogël do të vazhdojnë të mos tatohen, deri në 14 milionë lekë. Ka pasur një konfuzion në media dhe opinionin publik për këtë çështje duke qenë se është një ligj kuadër, i cili parashikon të gjitha parimet e tatimeve. Në fund është një nen në dispozitat kalimtare, i cili lë në fuqi të gjitha ato përjashtime që janë në fuqi, ku preket edhe biznesi i vogël”.

Po të vetëpunësuarit, a do të tatohen?

“Ligji bën një ndarje të tatimit mbi të ardhurat, ku i kategorizon tatim mbi të ardhurat dhe tatim mbi të ardhurat korporative. Tatimi mbi të ardhurat personale që prek kategoria e parë është tatimi mbi pagën dhe të ardhurat e personave fizik, e dyta është mbi personat juridikë. Ky ligj në pjesën e parë të tij do të ecë me parimin e progresivitetit. Sa i përket pagave do të vijojë progresiviteti, i cili është aktualisht në fuqi, ndërsa për të ardhurat e të vetëpunësuarve, personave juridikë do të aplikohet progresiviteti, për kategorinë e biznesve që kanë qarkullim mbi 14 milionë lekë. Ndërkohë, përjashtimi nuk do të qëndrojë për disa kategori të profesioneve të lira, të cilët janë të vetëpunësuar. Kryesisht janë në fushën e shërbimeve, por jo të gjitha kategoritë e fushës së shërbimeve, pasi ka shërbime që nuk lidhen me profesionet e lira siç janë parukeritë, berberi apo të tjera shërbime.

Ne do të nxjerrim një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili do të përcaktojë të gjitha profesionet që do të fillojnë të tatohen nga data 1 janar e vitit të ardhshëm. Biznesi i vogël nuk do të tatohet deri në vitin 2029. Personat fizikë të vetëpunësuar që ushtrojnë profesione të lira, avokati, kontabilisti, arkitekti, mjeku dhe të tjera profesione të lira. Ne kur bëmë ligjin kishim parasysh bizneset e vogla, byrektore, parukeri, këpucari. Nga ana tjetër, profesione të tilla të lira janë shumë të paralelizueshme me punësimin me pagë”, u shpreh Ibrahimaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos