Inflacioni nuk do zbutet lehtë, presioni për rritje çmimesh po vjen nga brenda vendit

Nga A2 CNN
6 Mars 2023, 19:40 | Ekonomi

Vrulli i çmimeve mund të jetë zbutur këto muaj, por të dhënat e fundit të INSTAT për industrinë dhe importet tregojnë se inflacioni i lartë me shumë gjasa do të vazhdojë.

Në fund të vitit të kaluar, industria e përpunimit të produkteve ushqimore raportoi një rritje të çmimeve prej 24.3%, kundrejt 13.4% që raportonin tregtarët nga importi. E njëjta gjë edhe për thuajse çdo kategori tjetër mallrash në vend.

Industria nxjerrëse dhe ajo e përpunimit të metaleve raportojnë shtrenjtimin më të madh të çmimeve në vend, për shkak të rritjes së lartë të kostove të tyre për energjinë apo lëndën e parë. Ndërsa rritje të konsiderueshme raportojnë edhe kompanitë në fushën e përpunimit të drurit dhe mobiljeve, industria kimike, ajo e farmaceutikës dhe energjia elektrike.

Ndërkohë nga importi, shtrenjtim më i lartë raportohet për karburantet, metalet dhe të gjitha pajisjet elektronike dhe elektrike.

Nëse për shkak të stabilizimit të situatës në vendet partnere tregtare, inflacioni nga importi sa vjen dhe ulet, brenda vendit, inflacioni i çmimeve të prodhimit vazhdon të qëndrojë në një trajektore rritëse.

Kjo do të thotë se tanimë, presioni i jashtëm ndaj çmimeve, i ka lënë radhën presioneve të brendshme, që do të duan më shumë kohë për t’u normalizuar.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi