
Për të diskutuar për sigurinë ushqimore në Shqipëri ishte i ftuar në A2 Business Besnik Jakaj, ish-drejtori i vlerësimit të riskut në AKU.
Ai u shpreh se ushqimet në Shqipëri nuk janë të sigurta, ndërsa theksoi se AKU duhet të jetë një institucion i mirëfilltë shkencor.
“Shqiptarët nuk janë të sigurt. Siguri absolute nuk ka, prandaj janë institucionet, por thelbësore është puna e institucioneve që i garanton ligji për të garantuar sigurinë ushqimore, që qytetari të marrë të sigurt atë që paguan. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare, nuk e ka kuptuar ose nuk do ta kuptojë, AKU duhet të jetë një institucion i mirëfilltë shkencor. Siguria ushqimore është shkencë”.
Por a mjafton një institucion për të garantuar sigurinë ushqimore? “Është legjislacioni, por që nga emri, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk ka pikë autoritet për atë që duhet të kishte, e mbështetur nga qeveria, pasi gjithçka është e lidhur me mënyrën e financimit që qeveria i bën. AKU është trajtuar si një ndërmarrje, jo si një institucion, si një ndërmarrje e nivelit të tretë apo të katërt”, tha Jakaj. (A2 Televizion)