Një kampion i së ardhmes, që ngrihet në majën e Europës. Peshëngritësi Ertjan Kofsha shkëlqeu në Kampionatin U20 dhe U23 të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, ku u shpall kampion Europe në stilin e shkëputjes.
Ai gjithashtu fitoi edhe dy medalje bronzi, në shtytje dhe në dygarësh, duke regjistruar një tjetër rezultat fantastik për peshëngritjen shqiptare.
Ertjan Kofsha konkurroi në peshën deri 89 kg dhe me 153 kg të ngritura, u pozicionua i pari në shkëputje, duke fituar medaljen e artë në këtë stil.
Në shtytje, kampioni kuqezi arriti të ngrinte 184 kg, peshë që i siguroi vendin e tretë dhe medalje bronzi. Kofsha e mbylli garën me 337 kg në total, duke fituar medalje bronzi edhe në dygarësh.
Një paraqitje e shkëlqyer e djaloshit që realizoi gjashtë prova, duke fituar 3 medalje në Kampionatin Europian për të rinj në Bukuresht.
Arritjet e tij i shtohen paraqitjeve mjaft të mira të Enkileda Carjas për femra dhe Samoel Rrasa për meshkuj, duke konfirmuar se e ardhmja e peshëngritjes shqiptare është e garantuar. (A2 Televizion)