Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD 2, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi. Lajmi u konfirmua për A2 CNN nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, që sqaron se kjo masë është marrë në kuadër të një hetimi të nisur nga Brukseli, pas akuzave për korrupsion me fondet për bujqësinë.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”.
Delegacioni pohon se hetimi është në vazhdim dhe në përfundim të tij do të shikohet nëse nevojiten masa të mëtejshme: “Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”.
Pezullimin e përkohshëm të fondeve të IPARD e ka pranuar edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila sqaron se programi nuk është ndërprerë dhe se procedura hetimore është normale: “Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Këto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë.”
Programi i IPARD II parashikonte një fond total prej 146 milionë euro, nga të cilat 112 milionë euro janë fondet të BE-së dhe pjesa tjetër financim i qeverisë shqiptare. (A2 Televizion)