Keni të paktën 4 mijë dollarë? Jeni më të pasur se gjysma e botës!

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2018, 10:56 | Ekonomi

Shifra vërtetë interesante kanë dalë nga një raporti i fundit mbi pasurinë globale nga Instituti kërkimor i “Credit Suisse”.

Nëse mendoni se jeni i varfër, më parë duhet të shihni pasurinë e pjesës më të madhe të popullsisë në botë.

Në raport thuhet se nëse keni vetëm 4 mijë e 200 dollarë, atëherë ju jeni më të pasur se gjysma e botës.

Sa i përket elitës së më të pasurve në botë, e 1 përqind të saj, nuk duhet të mendoni se ju nevojiten me miliona apo miliarda dollarë, por vetëm 871 mijë dollarë. Nëse keni këtë sasi parash, atëherë ju jeni mes 1 përqindëshit të personave më të pasur në botë.

Nëse keni të paktën 93 mijë dollarë, atëherë jeni në 10 përqindëshin e personave më të pasur në botë.

Raporti llogarit vlerën neto të një personi, depozitat bankare, plus pasuritë e patundshme, minus kreditë.

Më shumë se 3 milionë britanikë dhe 17 milionë amerikanë janë pjesë e 1 përqindëshit, ndërsa ajo që bie në sy është se pjesë e kësaj elite janë vetëm 4 milionë kinezë.

Gjatë 12 muajve që ky raport ka marrë në shqyrtim pasuria globale është rritur me 4.6 përqind.

Raporti vë në dukje pabarazinë ekstreme të pasurisë në mbarë botën, por theksohet se hendeku mes më të pasurve dhe më të varfërve mund të ngadalësohet. Megjithatë, aktualisht 10 përqind e më të pasurve në botë zotërojnë 85 përqind të pasurisë globale! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos