Çdo luftë është në vetvete edhe biznes, dhe lufta mbi drogën nuk është e ndryshme. Trafiku i jashtëligjshëm global i drogës vlen përafërsisht gjysmë trilioni dollarë në vit aq sa 1% e tregtisë globale. Në popullaritetin e saj, por edhe perceptimin e përgjithshëm, asnjë nga drogat nuk është e lidhur me paratë më shumë se sa kokaina.
Po ku shkojnë paratë e kësaj tregtie, kush i shpenzon ato? Biznesi i kokainës gjeneron shumë dhunë në çdo stad të prodhimit dhe shpërndarjes së saj. Përse ndodh diçka e tillë, aq sa eliminimet mes grupeve kriminale - mes tyre edhe shqiptare - kanë përfunduar deri në Ekuador? Përse ky produkt është kaq shumë i lidhur me dhunën.
Tre shtetet më të mëdha të prodhimit të kokainës janë Kolumbia, Peruja dhe Bolivia. Në këto vende, fermerët bëjnë punë të rëndomtë për të marrë gjethet e kokës nga degët, një bimë e cila kultivohet në këto zona.
Deri në këtë pikë, asgjë nuk duket si një biznes kaq shumë fitimprurës ndërsa paga mesatare e një mbledhësi të gjetheve të kokës shkon deri në 50 dollarë në javë.
Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara kanë financuar vendet e Amerikës Latine për të luftuar prodhimin e kokainës që në fushat e kokës e deri te mjetet për të asgjësuar bimën që në rritje nëpërmjet pesticideve.
Fluturimet u ndërprenë në vitin 2015 kur qeveria kolumbiane u desh t’i paguante Ekuadorit 15 milionë dollarë si kompensim për dëmet që u ishin shkaktuar familjeve në kufi me këtë shtet.
Për të bërë një kilogram kokainë përllogaritet që duhen 1 ton gjethe koka, ndërsa çmimi për një ton gjethe koka kushton përafërsisht 400 dollarë.
Nga fushat, gjethet transportohen në laboratorë në brendësi të xhunglës të cilat konvertohen në pastë kokaine. Sipas të dhënave ndërkombëtare, një kilogramë pastë kokaine kushton rreth 700 deri 900 dollarë.
I gjithë procesi kalon në disa faza ku pas marrjes së gjetheve nevojiten disa produkte për ta konvertuar në pastë. Tre janë më të përdorurat gjerësisht për të nxjerrë pastën e kokainës. Miksimi bëhet mes acidit sulfurik, karbonatit të kalciumit dhe vajgurit.
Në këtë fazë, e cila është dhe e para njihet si ekstrakti i gjetheve të kokës të cilat kthehen në pastë.
Faza e dytë është purifikimi i kokainës. Pasta bashkohet me një tretësirë të përbërë prej permanganit të kaliumit, e cila e kthen atë në një lëndë të ngurtë që njihet dhe si baza e kokainës.
Procesi i tretë dhe i fundit është kristalizimi, i cili bëhet mes hidroksidit të amoniumit, ose që njihet ndryshe si amoniaku i lëngshëm, açeton dhe acid hidroklorik.
Përfundimi, kokainë hidrokloruri e pastër, ndërsa përzierësit - përgjithësisht fenacetina - rrit volumin e saj.
“Atë këtu... Atë atje ata e përpunojnë, është një proces. Për këtë arsye, blejnë kolumbianen, sepse është më e pastër. Sa më e pastër të jetë aq më shumë mund ta ulin, nëpërmjet disa kimikateve mund ta ulin më shumë. Domethënë nga 97% e ulin në 40%, por ka më shumë volum. 45- 40%, që të mbahet pastërtia”, thotë një trafikant me të cilin ekipi i A2 CNN foli në Guqyaquil.
Ky është moment i cili ndryshon gjithçka, momenti që kalon nga prodhuesi te shpërndarësi. Një kilogram kokainë e pastër e cila kushton deri 900 dollarë në Amerikën e Jugut, kushton në 40 mijë euro në tregun europian dhe atë shqiptar.
Por sa kushton në Ekuador, në Guayaquil? “Po, në fakt, çmimi në Ekuador në lidhje me atë në Europë ose Shqipëri, është jashtëzakonisht shumë i vogël. Këtu në Ekuador varet nga vendi ku e vendosin drogën dhe sasia e drogës që sjellin nga Kolumbia, por një kosto mesatare e kilogramit të kokainës që del nga Ekuadori, saktësisht nga Guayaquil, në porte, tashmë në kontejnerë, nga 2000 deri në 5000 dollarë kur është i vendosur në kontejnerë”, thotë për A2 CNN zv.drejtori Kombëtar i Investigimit të Antidrogës në Ekuador, Koloneli Erick Francisco Benitez Navas.
“Për sa i përket kokainës dhe gjërave të këtij lloji, sillen nga Kolumbia, jemi në kufi me Kolumbinë. Më përpara trafikohej shumë me Perunë, në kufirin jugor. Por, që kur pati më shumë probleme, u krijuan organizatat kriminale dhe këto gjëra, filluan të sjellin drogën kolumbiane. Duke qenë se jemi edhe afër me kufirin Esmeralda, sjellin atë që është droga më e pastër, më e fortë”, thotë trafikanti kolumbian.
- Sa gramë ka këtu?
- Ka 0,7. Nuk arrin në një gram, më pak se një gram.
- Sa kushton më pak se një gram ose një gram?
- 10 dollarë. Kur ti e blen atje. Nga Kolumbia për këtej e blen me 1300-1400. Ndërsa ne këtu e shesim 1900-2000…
Kur një kilogram ndahet në pjesë më të vogla në doza një gramëshe ose 0,7, çmimi ndryshe nga Ekuadori shkon deri në 130 mijë dollarë në tregun Evropian apo atë Amerikan. Ky është çelësi i suksesit të një produkti i cili është ilegal, por përfitimi i vërtetë nuk është te shitja, por te transporti i saj dhe servirja në Europë apo dhe çdo shtet tjetër.
“Është një punë e përbashkët, punojnë shumë njerëz, që kur e sjellin nga Kolumbia në Ekuador, e kanë gati atë që do e shesë dhe dihet blerësi i besuar. Në këtë mënyrë, njëri dërgon paratë dhe tjetri ka mushkat që i kalojnë nga kufiri me Kolumbinë në Ekuador. I paguajnë. Për çdo pako, për çdo kilogram paguhen 200 dollarë për ta kaluar nga Kolumbia në Ekuador.
Droga peruane shitet me 1200 -1300 dollarë. Varet nga pastërtia. Kur e sjellin këtu. Aktualisht, duke qenë se këtu ka shumë porte detare, Ekuadori është një kryqëzim i drogës që shkon për në Amerikë, për në Evropë, në Mbretërinë e Bashkuar, që shkon e gjitha andej lart. Këtu është si një pikë transferimi. Vjen nga Kolumbia, kalon nëpër Ekuador dhe shkon në Amerikën Qendrore, në Meksikë, mbase në Guatemala, Venezuelë dhe më tej. Por Guayaquil, Ekuadori, është një kryqëzim, nga ku dërgohet nëpërmjet portit për në Shqipëri”, thotë trafikanti kolumbian.
Një ndër vendet i cili është kthyer në transportuesin kryesor të kokainës është Ekuadori. Transporti i saj, mënyrat për ta përçuar atë në duart e çdo përdoruesi në të gjithë botën ka sjellë dhe përplasjet mes bandave e grupeve kriminale shqiptare. Një nga arsyet kryesore të eliminimeve është se kur bëhet fjalë për një produkt të paligjshëm ata duhet të përplasen për të kontrolluar ngarkesat e tyre. Përplasjet për kontrollin e ngarkesave dhe territoret janë hasur dhe mes grupeve të Ballkanit Perëndimor e më konkretisht shqiptarëve.
“Kur ata hyjnë në një narko-territor, nga ajo që ne dimë, janë të drejtuar nga mafia italiane, sipas asaj që ne dimë, ata janë të drejtuar nga ata këtu. Ata vijnë këtu për të formuar ose për të pasur një rol të rëndësishëm për këto organizata kriminale. Ata janë të dërguar, si të dërguarit në kartelet meksikane, që vjen këtu një person i bandave dhe janë ata që organizojnë dërgimin e drogës drejt Shteteve të Bashkuara. Ndërsa për sa i përket Europës, janë shqiptarët që po organizohen, vijnë këtu me mjaft para për të organizuar dërgimin e drogës. Normalisht, ajo që bëjnë është të kontraktojnë persona ekuadorianë, madje kanë lidhje me sa dimë edhe me kilianë dhe qytetarë të tjerë të huaj. Domethënë nuk është se vijnë këtu dhe formojnë një grup vetëm me shqiptarë”, thotë për A2 CNN, zv.drejtori Kombëtar i Investigimit të Antidrogës në Ekuador, Koloneli Erick Francisco Benitez Navas.
Misioni i tyre sapo mbërrijnë në vend është koordinimi i ngarkesave të drogës. “Vijnë këtu për të trafikuar, ky është funksioni i tyre, të koordinojnë dërgesat e drogës për në Europë. Atëherë, vijnë këtu, mundohen të gjejnë qytetarë ekuadorianë që t’i ndihmojnë me futjen e mallit nga Kolumbia në Ekuador, me mbledhjen në disa qendra sidomos në zonën e Guayaquil ose në provincën e Uruguajas dhe më pas për të kërkuar linjën e daljes, që zakonisht e bëjnë nëpërmjet porteve, nëpërmjet porteve detare, këtu në Guayaquil. Atëherë edhe këta persona nuk janë ndryshe nga të tjerët, bëjnë po të njëjtin rol të organizatorëve këtu për dërgesat e drogës drejt Europës”.
Për të pasur një panoramë më të qartë se si kokaina transportohet jashtë, duhet të kthehemi në serinë e parë të Lumit të Kokainës. Një ndër vendet e fshehjes së mallit janë bizneset vendase.
“Nga ajo që ne dimë, nuk është se ata vijnë pa informacion këtu në Ekuador, ata kanë koordinim me shumë mundësi nëpërmjet mafies italiane ose nëpërmjet lituanëve, kosovarëve ose shqiptarëve që kanë kohë këtu në territor, të cilët tashmë e njohin situatën e Ekuadorit. Koordinojnë me qytetarët në të tillë mënyrë që t’i prishin ndërgjegjen disa personave që janë me të vërtetë sipërmarrës, nuk janë shumë të mëdha, janë sipërmarrje të vogla, por që përdoren si fasadë për dërgimin e drogës. Kjo është pak a shumë mënyra e tyre. Vijnë këtu dhe ndërtojnë një strukturë fasadë, por është kriminale, tek e cila bazohen për të dërguar drogën drejt territorit europian në këtë rast. Kjo është pak a shumë sesi funksionojnë shqiptarët këtu në Ekuador”, thotë për A2 CNN zv.drejtori Kombëtar i Investigimit të Antidrogës në Ekuador, Koloneli Erick Francisco Benitez Navas.
Deri më tani, në Ekuador tre janë mënyrat se si grupet kriminale mes atyre dhe ato shqiptare operojnë për ngarkesat e tyre.
Njëra prej metodave të përdorura rëndom është transporti i bananeve ose druve. Diçka e tillë vijon të aplikohet nga shqiptarët dhe grupet e lidhura me to.
“Kjo është një strategji që nuk po përdoret vetëm nga organizatat e shqiptarëve, por edhe bandat meksikane, pra nuk është vetëm një organizatë në Ekuador, për këtë bëhen të vështira hetimet sepse kërkojnë persona që t'i ndihmojnë në çdo proces, por që nuk e njohin njëri-tjetrin, pra vazhdojnë kontraktojnë persona deri sa të arrijnë në një biznes. Po flasim për Guayaquil, arrijnë te biznesi dhe në Guayaquil i përdorin si fasadë, ka mënyra të ndryshme të nxjerrjes së drogës, e para është duke përdorur biznese si fasadë, në këtë rast ngarkimin e bëjnë aty ku ndodhet produkti, në përgjithësi janë banane ose dru”, thotë për A2 CNN, zv.drejtori Kombëtar i Investigimit të Antidrogës në Ekuador, Koloneli Erick Francisco Benitez Navas.
Grepi i verbër është një mënyrë më e konsoliduar e trafikimit të kokainës, çka konsiston në futjen e ngarkesave në port, ndërsa rrjeti i personave është më i gjerë. Pas futjes së kokainës mes barkave në kontejnerë, porti është pika finale.
“Mënyra e dytë është ajo që këtu e quajmë “Grepi i Verbër”, duke futur drogën në brendësi të portit, në Granel, në brendësi të portit kanë kontraktuar persona që punojnë në port, të cilët mbushin kontejnerët, pasi mbushin kontejnerët, i thotë organizata në cilin kontejner të fusin drogën, dërgesa të ligjshme. Thyejnë drynin, i hapin, nxjerrin mallin, e mbushin me drogë dhe e mbyllin përsëri. Kjo drogë po shkon në destinacion dhe shpeshherë e nxjerrin para se të arrijë në port”, thotë Navas.
“Ngarkimi këtu quhet “Grepi i Verbër”, ku ata fusin substancat në kontejnerët që mbajnë banane, mango, karkaleca që dalin më së shumti nga këtu. I ngarkojnë te dyqanet e qytetit të Guayaquil, gjatë rrugës për në port ose direkt në portin detar. Në momentin që kryhet në portin detar, formohet një strukturë si tentakulë ku të punësuarit në port bashkëpunojnë me policët për të bërë të ashtuquajturin “Grepin e Verbër” për të ngarkuar kontejnerët dhe për t’i çuar jashtë vendit”, thotë porokurori Cesar Pena.
Ajo që njihet si strukturë ka të bëjë me kontejnerët dhe fshehjen e drogës përbrenda vetë strukturës së tyre. Shpeshherë në Shqipëri kemi dëgjuar se kokaina fshihet në pjesën e frigoriferike, por grupet kriminalet e fshehin atë dhe brenda vetë mureve të kontejnerit. Diçka e tillë kërkon bashkëpunim dhe me kompanitë e mirëmbajtjes së kontejnerëve të cilat jo në pak raste bëhen palë me narkotrafikantët. Por shtimi i skanimeve dhe kontrolleve ka detyruar grupet kriminale të përdorin dhe mënyra të tjera.
“Dhe e treta është nëpërmjet asaj që quhet strukturë, që e administrojnë nëpërmjet strukturës dhe kontejnerëve. Këto pra janë tre mënyrat që ata përdorin për të dërguar drogën. Kohët e fundit, duke qenë se ka pasur shumë kontrolle nga policia në porte sepse ka pasur shumë lajmërime, këtë vit e kemi kaluar, këtë vit çështja e kapjes së drogën në porte është superiore në krahasim me atë që u kap vitin e kaluar. Ndaj, përpara këtij aktiviteti policor, përpara këtij efektiviteti, ajo që kanë bërë ata, në një farë mënyre, tashmë nuk e bëjnë ngarkimin si ‘’Grep i Vjetër’’, as si produkt, as si strukturë, por që ajo që po bëjnë është nëpërmjet detit, po ngarkojnë kontejnerët kur anija është në karantinë, në det të hapur” thotë Navas.
Edhe pse lufta ndaj trafikimit të kokainës ashtu si dhe narkotrafikantët nuk kanë kombësi kur vjen puna në biznes, shteti shqiptar është një hap pas, jo në parandalimin e ngarkesave të kokainës drejt vendit tonë, por në arrestimin e personave të përfshirë, më konkretisht ata shqiptarë.
“Ekstradimi varet nga shteti në shtet dhe varet nga marrëveshjet që ka midis shteteve. Në këtë rast, duhet të pyesim nëse Shqipëria ose ndonjë vend tjetër i Evropës ka ndonjë marrëveshje për ekstradim në vendin tonë ose nga vendi jonë në drejtim të një vendi tjetër. Varet nga rrethanat diplomatike, nga marrëveshjet dhe ligjet e secilit shtet”, thotë prokurori Cesar Pena.
Shteti shqiptar nuk ka marrëveshje ekstradimi me Ekuadorin, ndërsa për të gjithë Amerikën Latine ka vetëm një konsull.
Historia e trafikimit të drogës nuk është një histori e re dhe zanafillën nuk ka në Ekuador. Dhe Ekuadori nuk ka se si të jetë i fundit. Ai është stacioni i radhës i një rrugëtimi dhjetëravjeçar të një lumi të zi, kriminaliteti dhe droge.
Kjo nuk është një histori e re edhe për shqiptarët, emrat e të cilëve rreshtohen gjithnjë e më shumë në lista të zeza, në pika të nxehta në të tërë globin, ndërsa në Shqipëri, shumë prej tyre etiketohen thjeshtë si emigrantë, e në shumë raste klasifikohen edhe si biznesmenë.
Prania e shtetit shqiptar ka qenë e nevojshme vetëm kur është dashur për të tërhequr nga morgu, trupa të vrarësh nga betejat e vdekjes. Trafikimi i drogës për çdo vit intensifikohet, fuqizohet dhe krijon një shpërndarje gjithnjë e më të gjerë. Në hartën botërore është edhe Shqipëria, të cilën e përshkon më tej "Lumi i Kokainës". (A2 Televizion)