Miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën, Haradinaj: Tani është momenti për anëtarësim në Këshillin e Europës

Nga A2 CNN
18 Prill 2023, 13:18 | Kosova
Miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën, Haradinaj: Tani

Pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendi duhet të marrë sa më parë konfirmim për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Europian, që sot hoqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën!”, shkroi Haradinaj në Facebook. “Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses. Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe”.

Parlamenti Europian miratoi sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij. Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, ku bëjnë pjesë 27 shtete. Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos