Nga i paragjykuar në model zhvillimi, arsimi profesional po ndryshon të ardhmen e të rinjve

Nga A2 CNN
17 Mars 2023, 16:52 | Aktualitet

Arsimi profesional po fiton terren në Shqipëri, teksa gjithmonë e më shumë të rinj po zbulojnë avantazhet e një gjimnazi që krahas arsimit të përgjithshëm, të përgatit për tregun e punës me aftësi praktike dhe të dobishme për një zanat apo profesion specifik. Qeveria e Zvicrës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, po punojnë prej vitesh për të ndihmuar vendin të reformojë sistemin e tij të arsimit profesional, duke e njohur si një shtyllë për zhvillimin ekonomik. Me mbështetjen e tyre, Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në rritjen e cilësisë dhe rëndësisë së këtyre programeve. Edhe pse ka akoma shumë rrugë përpara. Arsimi profesional ka potencial për të luajtur një rol të madh në tkurrjen e fenomenit të emigracionit mes të rinjve. Shumë shqiptarë lënë vendin në kërkim të perspektivave më të mira për punë, shpesh duke cituar mungesën e mundësive brenda vendit. Por me ofrimin e aftësive dhe njohurive praktike, arsimi profesional mund të ndihmojë në krijimin e këtyre mundësive dhe inkurajimin e të rinjve që të qëndrojnë në Shqipëri. Pasioni është një nga arsyet kryesore që të rinjtë zgjedhin shumë prej degëve profesionale si teknologjia e informacionit, turizmi, gatimi, apo rrobaqepësia dhe tekstili. Dhe nëse këto pasione shfrytëzohen për të ndërtuar diçka në Shqipëri, ekonomia dhe të gjithë ne, mundet vetëm të përfitojmë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani